Korrupsion/ Shefit të krimeve i gjenden 66 mijë Euro akte noteriale

Pak ditë pas komunikimit të masës së sigurisë arrest shtëpie për ish-shefin e krimeve të komisariatit nr.2 në Tiranë, Dritan Metani, prokuroria dhe Shërbimi i çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, kanë zbardhur disa detaje të hetimit.

Lajme

23/04/2017 16:47

Paratë që dyshohet se Metani mund t’i ketë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm korruptiv nga funksionet në polici, sipas hetuesve i kamuflonte me shit-blerje së automjeteve.

Ky fakt është konfirmuar nga gjetja në banesën e Metanit të 5 akteve noteriale të huadhënies dhe shit-blerjes së makinave, raporton tv Klan.  Vlera e këtyre akteve arrinte në 66.200 euro.

Hetimi ka zbuluar se Metani vartësi i tij Gojart Bushi, kishin marrë takime me pronarët e dy lokaleve në kryeqytet.

Dy sipërmarrësit kishin ngritur tenda pa leje në territorin që kontrollonin Metani e Bushi dhe gjatë hetimeve kanë pohuar se kanë pasur kontakte me dy drejtuesit e policisë. Pas hetimeve të kryera janë ngritur dyshime se Metani e Bushi i kishin lejuar qëllimisht tendat në kundërshtim me ligjin.

PRECEDENTI

Dritan Metani ka qenë arrestuar në vitin 2007 për korrupsion pasiv dhe në vitin 2008 është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg. Në vitin 2013, Gjykata e Lartë e ka lënë në fuqi përfundimisht këtë dënim.