Korriku më i shtrenjtë se qershori për 0.1 për qind

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0.1 për qind në muajin korrik, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti, ndërsa shkalla e inflacionit njëvjeçar (korrik 2013-korrik 2014) ka arritur në 0.8 për qind.   

Lajme

14/08/2014 17:39

Sipas komunikatës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ngritje e indeksit të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera, për 3.1 për qind. Brenda këtij nëngrupi, çmimi i energjisë elektrike shënoi një ngritje prej 5.3%, pemët 2.0%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal (nafta dhe benzina) për 0.6% me një ndikim të përbashkët prej 0.4% në indeksin e çmimeve të konsumit.

Ngritja e çmimeve u neutralizua kryesisht nga rënia e indeksit të çmimeve të konsumit të nëngrupi i perimeve për  5.4%, me një ndikim prej 0.3%.

Krahasuar me korrikun e vitit të shkuar ngritja më e madhe vërehet te nëngrupet: mishi 2.7%, qumështi, djathi dhe vezët 1.2%, duhani 7.2%, veshja 2.9%, këpucët 4.7%, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera për 6.8%.