Korrespodenca e shkrimtarit Repishti me novelistin francez Andre Malraux

Pasi kishe vuajtur 10 vite në burg e kampe pune, pasi kishte përjetuar vetë ferrin dhe kishte shpëtuar prej tij, vetëm duke u arratisur nga atdheu, Sami Repishti nisi një jetë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

ShowBiz

31/03/2016 15:50

Në vitin 1968, Repishti do t’i dërgonte një letër shkrimtarit dhe ministrit francez të Kulturës, Andre Malraux. Në dukje është një letër me qëllime ngushtësisht studimore, por në të vërtetë, ishte një dritare që Repishti hapte për botën mbi Shqipërinë. Ishte duke përgatitur tezën “Andre Malraux dhe dialektika e rendit dhe e unit të thellë tek njeriu”, e cila do të mbrohej në Universitetin e Nju­Jorkut.(C.U.N.Y.) Dëshira për të mbrojtur këtë tezë i lindi pasi kishte lexuar veprat e Malraux, e në veçanti romanin “Fati i Njeriut”, i cili e kishte vendosur përballë një paradoksi, të cilin kërkonte ta zgjidhte duke i drejtuar dy pyetje vetë autorit.

“Paradoksi këtu qëndron në faktin se në romanet tuaja, ku heronjtë luftonin për një ideal komunist, has një burim frymëzimi për një njeri si unë, të cilit i është dashur të afirmojë dinjitetin e vet njerëzor në luftën kundër komunizmit”, i shkruan Repishti. Pasi i ka treguar për jetën e vet, për kalvarin në burgjet dhe kampet komuniste, pasi i ka rrëfyer për ferrin, në të cilin të duket vetja “i padenjë” nëse mbijeton, se vetëvrasja të duket një akt shpëtimi, Repishti e pyet shkrimtarin, asokohe ministër:

1) Marksizmi, a ishte për ju në vitet e “Fatit të Njeriut” (1923) forma e vetme e protestës dhe e aventurës, tashmë të konsumuara, por simbolikisht të vlefshme për atë epokë?

2) Në ditët tona, kur të gjitha doktrinat politike duken të konsumuara, çfarë do të ishte ajo që do na shtynte për të vepruar apo shprehur simbolikisht protestën tonë kundër “Fatit të Njeriut”? Çfarë orientimi duhet të marrim ne sot për rikrijimin e njeriut? Nuk do të vononte që ministri francez, i prekur nga letra e një shqiptari, do t’i kthente përgjigje. Do t’i përgjigjej me “po” pyetjes së parë, ndërsa për të dytën do t’i thoshte se nuk do të donte kurrsesi t’i jepte një përgjigje të përciptë. E megjithatë, letra e kishte kryer detyrën. Ajo i mësoi një politikani francez çka nuk e dinte për Shqipërinë. Pas një gjysmë shekulli, Sami Repishti publikon letërkëmbimin me Malraux.

KORRESPONDENCA

Sami I. Repishti

318 Washington Street Hempstead, New York, USA 27 mars 1968

Shkëlqesisë së tij Andre Malraux Ministër i Shtetit i Ngarkuar me Çështjet Kulturore Palais Royal 3, rue de Valois Paris 1­er, Francë

Zoti Ministër, më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër duke qenë se po punoj për një tezë të titulluar: Andre Malraux dhe dialektika e rendit dhe e unit të thellë tek njeriu. Kjo tezë do të mbrohet në Universitetin e Qytetit të Nju­ Jorkut.(C.U.N.Y.)

Qëkurse kam ardhur në Shtetet e Bashkuara (ku jap mësim frëngjishten në nji shkollë të ciklit të mesëm), u rihyra studimeve të ndërprera prej kohësh dhe po rilexoj veprën tuaj me vëmendjen që i kushton një i ri në moshë një më të madhi.

Paradoksi këtu qëndron në faktin se në romanet tuaja, ku heronjtë luftonin për një ideal komunist, has një burim frymëzimi për një njeri si unë, të cilit i është dashur të afirmojë dinjitetin e vet njerëzor në luftën kundër komunizmit. Gjithë rininë e kam kaluar në vendin tim të lindjes, Shqipëria, ku kam parë tërë skenat çnjerëzore të tmerrit fashist të Luftës së Dytë Botërore.

I ri, pjesëmarrës i Rezistencës, u ndodha më 1945 përballë një ideologjie totalitare dhe një qeverie që e quanin “pushteti i popullit”. Realiteti që përjetova dërrmoi shpresat e mia, dhe me vullnetin për t’i qëndruar besnik vetvetes, iu kundërvura rendit të ri të vendosur. Më quajtën “rebel”. E pranova këtë cilësim dhe krejt pasojat që rrodhën: dhjetë vjet tortura, burg, kampe përqendrimi dhe pune të detyruar. Më 1959, kalova, me armë në dorë, kufirin. Që në leximet e para të romaneve tuaja, një jetë e tërë u shpalos para syve të mi.

letra1

Gjatë studimit, përjetova çaste të tëra të përvojës sime të dhimbshme, dhe më se një herë poshtëruese, prej të torturuari, të burgosuri, të stërmunduari. Por, nga ana tjetër, edhe çaste ekzaltimi të luftëtarit. Dhe pikërisht, tek has atë jetë të pasur e të fuqishme, vendosa – një pohim ky krejt i veçantë e personal që po bëj – të ndryshoj programin e studimeve të mia, nga shkencat ekonomike në studimin e letërsisë. Ndjeva se “udhëtimi i shkurtë që më kish mbetur për të bërë”, i filluar ditën kur thashë me gojën plot një “Jo!” të nderuar, e njëkohësisht fatale, kundër rendit komunist, nuk mund të vazhdonte veç po qe se kthehesha në një botë ku mjedisi ushqen dëshirën e thellë për solidaritet e vëllazëri.

Zhvlerësimi njerëzor i organizuar nga komunistët në kampet e përqendrimit të Shqipërisë poshtëroi të burgosur në numër të madh; shumë u vranë, u vetëvranë, me mënyra nga ma të llahtarshmet. I poshtëruar ditë e natë, unë vetë, më se një herë, pyesja veten nëse ata që mbijetojnë aty ishin pa moral. Sepse vetëvrasja është një akt. Të jetë vallë paburrëri të mbijetuarit në një kamp përqendrimi? Nëse nuk e lëshon veten e mbahesh, të jetë vallë një akt i padenjë për një njeri? Sepse të jetosh në një kamp përqendrimi është vetë ferri.

Të përballosh torturën, të sotmen e të nesërmen, ta përballosh atë çdo ditë që pason, dhe këtë për dhjetë vjet me radhë, është në fund të fundit një agoni shumë më e thellë se ajo e vdekjes. Veç për të vdekur nuk arrin dot të mësosh, ndonëse vetëvrasja është në çdo rast një akt çlirimi. Dakord! Por ama, t’i bësh ballë këtij tundimi të fortë, për mendimin tim, është më e vështirë.

Një ditë, pasi kisha bërë pesë vjet nga i gjithë dënimi prej dhjetë vjetësh, më shpunë në zyrën e Sigurimit të Shtetit. Pas “përshëndetjeve”, më vunë përpara për të firmosur një deklaratë pendimi, me anë të së cilës duhej të pranoja “mëkatin” tim se i isha “kundërvënë zhvillimit historik për krijimin e shoqënisë shqiptare të lirë e pa klasa”. Pas përgjigjes sime të menjëhershme mohuese, oficeri reagoi duke më pyetur: “Domethënë, ti je gati të shërbesh gjysmën tjetër?”. U përgjigja: “Po!”. Dhe kështu do të ndodhte. Jam i sigurt se në atë çast, nuk isha plotësisht i ndërgjegjshëm për çka po ndodhte në atë zyrë.

Por isha shumë i bindur nga pesë vitet e burgimit që kisha bërë deri atëherë, se çdo fjalë, çdo veprim i ardhur nga ana tjetër e barrikadës duhej hedhur poshtë a priori. Kjo duket e pakuptimtë, veçse ideja për të mos rënë në ujdi me “murtajën” i kishte rrënjët thellë në urrejtje dhe ushqehej nga neveria. Ishte shndrruar në mësim të veçantë, absolut, të paprekshëm që udhëhiqte jetën time dhe më lejonte të mendoja e veproja. Pa dyshim, atë çast, njeriu nuk ka si peshon gjërat; thjesht vepron shpejt e energjikisht, gjer në ekzaltim. Por atë ditë – dhe më kujtohet shumë mirë – preka thellësitë e lumturisë sime tek veprova si njeri i lirë.

Kurrë më parë nuk kisha zgjedhur me të tillë vendosmëri kushtet rrethanore për shkatërrimin tim. Ndjeva për një çast se isha zot i fatit tim. E më pas, sërish burgu…! Po si mund të mos ushqesha me neveri! Në një botë të marrë, ku degradimi dhe shkatërrimi i njeriut përpunohen me përkujdesje shkencore, kam parë si fshikullohen të lënët nga mendtë, si mbyten pleqtë, si i linin të vdisnin urie burra e gra.

U thyenin gjymtyrët, sidomos këmbët, të dënuarve me vdekje që prisnin të ekzekutoheshin, dhe këtë, si “masë paraprake”. Kam parë fshatarë të piqeshin si copë mishi mbi qymyr të prushtë, gra të pashkolle gozhduar në dysheme si mbi një kryq, të rinj të tredhur, të gjymtuar, të sakatuar. Kam pa malësorë madhështorë, të detyruar të ecin këmbëzbathur në oborrin e akullt, dy mijë burra e gra që nuk i linin të shkonin në banjë, ndërkohë që e vetja pompë uji merrte ditë të tëra për t’u ndrequr.

Kam parë kriminelë ordinerë se si nxiteshin për të rrahur e poshtëruar “politikanët”, e sidomos intelektualët; kam parë një ushtar me kryet e shtypur nga një masë e madhe guri pesëdhjetë kilëshe lëshuar mbi të nga nji oficer, pasi u plagos fatalisht nga gardistët e kuq sepse u orvat të arratisej…, dhe po ashtu mizorinë që ndiqte pas këdo që mundohej t’i shkonte tjetrit në ndihmë. Edhe vetë e kam përvuajtur një gjë të tillë, kur një ditë, me ndihmën e dy ish­gjimnazistëve lëshova në qelinë e një të dënuari me vdekje racionin tim të kotheres së përditshme.

Më kapën në veprim e sipër. Dhe sa herë që më tërhiqnin zvarrë për në qeli, pasi më kishin torturuar egërsisht në zyrën e oficerit të ngarkuar për “rehabilitim”, sa herë që vija në vet, dëgjoja shokun tim të dënuar tek u lutej me përgjërim e me lot autoriteteve, se duhej të torturonin atë për pasojat e “krimit” të kotheres, dhe jo mua. Dhe ai zë – që më kumbon i qartë dhe sot e kësaj dite në vesh – më vinte që larg si zëri i Shpëtimtarit. Ishte pohimi me plot gojën dhe i pakrahasueshëm i pranisë së dashurisë vëllazërore e të përjetëshme, dhe e kam rinjohur e ndjerë sa herë që poshtërsia e “murtajës” merrte përmasa të llahtarshme.

Një dashuri e tillë ka qenë, mendoj, pika e nisjes së rikthimit tim në jetë, “pajtimi me farën njerëzore”. Nëna ime e moshuar kishte kaluar dy vjet në një kamp përqendrimi, e izoluar dhe e vetmuar. E kam parë si keqtrajtohej nga gardistët e kuq sa herë që afrohej për të më parë përmes shufrave të hekurt. Dhe e tillë ka qenë pranë meje, të themi, gjatë gjithë kohës. Ditën kur do të lija kampin, hasa para portës nënën e një miku të burgosur. U afrua dhe për herë të parë pas dhjetë vjetësh, ndjeva ëmbëlsinë e një dore nëne tek përkëdhelte të miat; e nuk dija ç’t’i thosha të shkretës plakë. Më kishte ngulur sytë, e turbulluar dhe e përmallur.

Më pas, një shofer kamioni u tregua i gatshëm për të më shpënë gjer te qyteti më i afërt. Nuk folëm rrugës; hidhte vështrimin nga unë dhe unë përpiqesha të buzëqeshnja. Më në fund, e falënderova. Atëherë fillova të kuptoj se e tërë pjesa tjetër e botës ishte tashmë e huaj për mua. Përveç nënës sime! E shtrëngova fort në krahë. Qau. Nuk shkëmbyem një fjalë. Por e ndieja aq pranë meje. Qëkurse isha ndarë nga shoqëria, ajo kishte qenë për mua personi i parë që më mbante të përmballur me praninë e saj, jo sepse ishte nëna ime; edhe vëllezërit e motrat e mia ishin aty; po gjithçka që ndryshe me ta, me to.

Kurse me të, me nënën time, kish ndodhur si me mua, kishte qenë e burgosur së bashku me mua, përmbrenda meje, ajo, një banore e botës që e vetme, kishte bërë të mundur komunikimin njerëzor; ajo nuk ishte si të tjerët, një e huaj. Kishte tek ajo krijesë e moshuar një si aureolë pafajësie, pafajësi e mjaftueshme për të përligjur revoltën që më ziente përmbrenda, dhe që ta merrja në mbrojtje, revoltë e drejtë dhe sigurisht njerëzore. E doja nënën siç donja përligjjen e aktit tim. Me të dhe përmes saj fillova procesin e “pajtimit”, pa mundur dhe pa dashur ta plotësoj. Dy vjet ma vonë, i shpëtova mbikëqyrjes komuniste të qytetit ku banoja, braktisa nënën dhe çava kufirin. Nuk mund t’i nënshtrohesha një gjendjeje që kërkonte shkatërrimin tim për hir të jetës; parapëlqeva të vdes, për të mos e parë veten të shkatërruar.

Doja gjithashtu të arrija “pajtimin” në një botë të ndryshme, ku nuk do të kisha para syve figurat e urryera të xhelatëve. Është tmerrësisht e mundishme të lexosh gazetat e të dëgjosh mbledhjet e detyrueshme dhe të përditshme të një propagande që kërkon të mbajë fort në dorë monopolin e trajtimit njerëzor, pasi ke jetuar të kundërtën për dymbëdhjetë vjet me radhë. Të paktën, të mbijetuarit e kampeve naziste e patën kënaqësinë dhe sigurinë për të mos i parë kurrë më me sy xhelatët, një kënaqësi kjo që as unë, as shokët e mi, nuk kishim si ta shpresonim. Ata që më kanë mbetur, janë shokët. Kur mendoj për ta, veç besoj, së bashku me Kassnerin* se “… shokët e Kinës, varrosur të gjallë, miqtë e Rusisë me sy të nxjerrë, miqtë e Gjermanisë përreth meje me litarë në fyt”, vëllezërit e Shqipërisë me këmbët e thyera para se të ekzekutoheshin janë të vetmit banorë të një bote të pashkalluar dhe se zërat e tyre janë të vetmet të denja për t’u dëgjuar, të vetmet që dëshmojnë për madhështinë dhe nderin e të qenit njeri……

Ministër, Kam dy pyetje sidomos, të lidhuna ngushtë me veprën tuaj që më interesojnë shumë:

1) Marksizmi, a ishte për ju në vitet e Fatit të Njeriut (1923) forma e vetme e protestës dhe e aventurës, tashmë të konsumuara, por simbolikisht të vlefshme për atë epokë?

2) Në ditët tona, kur të gjitha doktrinat politike duken të konsumuara, çfarë do të ishte ajo që do na shtynte për të vepruar apo shprehur simbolikisht protestën tonë kundër Fatit të Njeriut? Çfarë orientimi duhet të marrim ne sot për rikrijimin e njeriut?

Do të isha shumë i lumtun në se ju Zotëri do të kishit mirësinë të më ndriçoni në këto dy pika. E merrni besoj me mend gëzimin që do të ndieja nëse do të merrja një përgjigje nga ana e juaj. Ju lutem Z. Ministër, pranoni shprehjet e konsideratës sime më të lartë. /panorama.al

Sami Repishti (Shënim: Përkthimi shqip i origjinalit frëngjisht ashtë nga Fotaq Andrea)