Koreja e Veriut zotohet të përshpejtojë programin bërthamor

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut këmbënguli se sanksionet do të "forcojnë vendosmërinë e saj për të ndjekur këtë rrugë me ritëm më të shpejtë"

Bota

13/09/2017 12:07

Koreja e Veriut “kategorikisht” hodhi poshtë sanksionet e reja që synojnë frenimin e ambicieve për armët bërthamore, thuhet në një reagim të Ministrisë së Jashtme të Phenianit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo përgjigje vjen vetëm një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë në të cilën synon të ndëshkojë Korenë e Veriut si asnjëherë më parë duke ia bllokuar importet e naftës dhe eksportin e tekstilit.

Sanksionet e fundit vijnë pas testit të gjashtë bërthamor të kryer më 3 shtator.

Megjithatë, mes kërcënimeve ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut këmbënguli se sanksionet do të “forcojnë vendosmërinë e saj për të ndjekur këtë rrugë me ritëm më të shpejtë”.

Deklarata e bërë, e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, dënon masat ndëshkuese të Këshillit të Sigurimit dhe të njëjtat i quan “përpjekje për të ngulfatur Veriun dhe popullin e tij”.