Koreja e Veriut akuzon Shtetet e Bashkuara për sanksione të “ngutura”

Koreja e Veriut ka reaguar pasi që Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar të vendosin sanksione ndërkombëtare ndaj Penianit.

Bota

09/08/2018 20:18

Ata i kanë quajtur përpjekjet amerikane si të ngutura pasi që kjo e fundit ka bërë hapa dhe përparim drejt denuklearizimit, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Madje zyrtarët e shtetit diktatorial kanë bërë të ditur se nuk mund të pritet një përparim i madh i procesit të denuklearizimit nëse Washningtoni vazhdon ta ndjekë “skenarin e vjetër”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka deklaruar për KCNA-në shtetërore se Koreja e Veriut është ende e gatshme ta zbatoj marrëveshjen e rëndësishme të 12 qershorit në Singapor, që u arrit midis Donald Trump dhe Kim Jong Un.

Të dy palët u pajtuan që të punojnë drejt denuklearizimit të Korësë Veriore. Mirëpo insistimi i Shteteve të Bashkuara se sanksionet duhet të vazhdojnë edhe gjatë negociatave me koreanoveriorët, e kanë bërë të vështirë përmbushjen e kësaj marrëveshje.