Koreja e Jugut i ofron bisedime Koresë së Veriut

Përballë kërcënimeve të fundit, Koreja e Jugut i propozon Koresë së Veriut bisedime ushtarake. Mund të flitet edhe për bashkime familjare. Ndërkohë, BE e kërcënon Korenë e Veriut me sanksione të reja.

Bota

18/07/2017 11:00

Për gati tri vjet sundoi heshtje e plotë. Kurse tani, gjithçka duhet të ecë shumë shpejt. Një bisedë e parë për çështje ushtarake mund të zhvillohet që të premten, në pikën kufitare Panmunjon, thuhet në një propozim të ministrisë jugkoreane të Mbrojtjes. Synimi është “fundi i akteve armiqësore”, pasi Koreja e Veriut kreu së fundi disa teste me raketa dhe me armë bërthamore.

“Ne propozojmë një takim, me të cilën t’u jepet fund aktiviteteve armiqësore, të cilat i shtojnë tensionet ushtarake përgjatë kufirit të vendit”, thuhet më tej në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.

Ndryshimi i qendrimit ka të bëjë me sa duket me ndryshimin në kreun e shtetit. Presidenti i zgjedhur në maj, Moon Jae In është shprehur për një dialog me Veriun, për t’i pakësuar tensionet midis dy vendeve.

Koreja e Veriut duhet të reagojë ndaj “propozimeve të sinqerta” nga Jugu, po të synojë me të vërtetë paqe në Gadishullin korean, deklaroi ministri koreanojugor i Mbrojtjes, Cho Myong Gyon. Qeveria në Seul nuk synon as kolapsin e Koresë së Veriut, as një ribashkim duke e pushtuar Veriun. Ai i kërkoi udhëheqjes së Phenianit që t’i përdorë më fort rrugët e komunikimit ndërkufitar, duke përfshirë edhe linjën direkte telefonike për çështjet ushtarake.

Projekte humanitare në agjendë

Takim familjesh të ndaraTakim familjesh të ndara

Por edhe për projekte humanitare mund të diskutohet së shpejti në mënyrë më intensive. Për këtë, Kryqi i Kuq i Koresë së Jugut i propozoi palës koreanoveriore bisedime në 1 gusht. Në to do të diskutohet për takime të reja midis familjeve, të cilat u ndanë në mes për shkak të luftës së Koresë nga viti 1950 deri 1953. Meqenëse pas luftës së Koresë nuk u lidh një marrëveshje paqeje, miliona koreanë mbetën të ndarë për dekada të tëra nga të afërmit e tyre. Në Korenë e Jugut ndërkohë jetojnë vetëm 60.000 vetë, që bëjnë pjesë në familjet e ndara që në vitin 1953.

Ndërkohë, nga ana evropiane, Korea e Veriut u kërcënua sërish me sanksione të reja. Në një takim të ministrave të Jashtëm në Bruksel u mor vendimi që të shqyrtohen reagime të tjera ndaj programit bërthamor dhe raketor të udhëheqjes komuniste në Phenian. Aksione si ngritja e një raketë ndërkontinentale në 4 korrik përfaqësojnë një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në botë, u shprehën ministrat.

Sipas të dhënave të diplomatëve, sanksionet e reja mund të kenë si objektiv pengimin e aktiviteteve ekonomike të përfaqësive koreanoveriore në botën e jashtme. Ekziston droja se ato shërbejnë edhe për të siguruar deviza për programin bërthamor./DW