Koordinatori Rexhep Hoti vizitoi shkollat në Gjilan

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, ka vizituar disa shkolla në komunën e Gjilanit për të parë nga afër implementimin e Programit Nacional për Rininë.

Lajme

21/02/2019 18:49

Ai ka vizituar Gjimnazin e Shkencave Natyrore “Xhavit Ahmeti” në Gjilan me ç’rast ka takuar drejtorin e kësaj shkolle dhe mësimdhënësit me të cilët kanë diskutuar për ecurinë e programit, transmeton Klan Kosova.

“Ne kemi filluar implementimin e Programit Nacional për Rininë me garën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik nëpër të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. Më vjen mirë që në shkollën tuaj ka filluar mbarë kjo garë”, ka thënë koordinatori Hoti.

I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe drejtori Komunal i Arsimit, Nazim Gacia, i cili ka falënderuar koordinatorin Hoti dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim për implementimin e programit.

Përpos gjimnazit, koordinatori Hoti ka vizituar edhe shkollën fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, ku edhe aty është takuar me drejtorin dhe mësimdhënësit e shkollës, me të cilët kanë biseduar për realizimin e programit.

Kujtojmë se implementimi i Programit Nacional për Rininë ka filluar më datë 19 shkurt të këtij viti me garën e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik.