Kontrolli i ushqimit, AKU: 400 subjekte me probleme

Rreth 400 subjekte në zonat turistike, mes të cilave markete, restorante, “fast food” dhe pastiçeri kanë rezultuar jashtë kushteve higjieno-sanitare nga kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Lajme

16/08/2017 14:13

AKU njofton se ka kryer rreth 1300 inspektime në Durrës, Vlorë, Fier, Shkodër, Korçë dhe Lezhë nga muaji qershor në muajin gusht. Autoriteti thotë se ka paralajmëruar 377 operatorë për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare, kryerjen e analizës së ujit, pajisjen me libreza shëndetësore të personelit dhe hartimin e planit të masave kundër dëmtuesve, brejtësve dhe insekteve.

7 biznese në zonën e Vlorës nuk kanë korrigjuar parregullsitë brenda afatit dhe ndaj tyre AKU ka marrë masën e ndëshkimit me gjobë në vlerën e 950 mijë lekëve. AKU thotë se në dhjetra raste ka analizuar kampionët e vajit për skuqje në restorante dhe në “fast food”, por vlerat kanë rezultuar brenda standardeve.

Gjithashtu janë marrë mostra të produkteve në pastiçeri dhe restorante për kryerjen e analizave mikrobiologjike. Disa prej tyre kanë rezultuar brenda standardeve, ndërsa për të tjerat pritet rezultati nga laboratorët.

Ndërkohë, pushuesit në zonat bregdetare reklamojnë shpesh rastet e cilësisë së ulët të ushqimeve e shërbimeve dhe në spitale nuk kanë munguar rastet e helmimit. /TopChannel/