Kontratë e re për Gerrardin

Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard do të vazhdojë kontratën me Reds, pas përfundimit të këtij sezoni, ka konfirmuar menaxheri Brendan Rodgers. Ai beson se mesfushori do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm për ekipin.

Sport

03/05/2014 13:56

Kapitenit të Liverpoolit, Steven Gerrard do t’i ofrohet një kontratë e re në fund të këtij sezoni, ka njoftuar menaxheri Brendan Rodgers.

Gerrard është inkuadruar në një rol më të thellë këtë edicion duke bërë 32 paraqitje dhe shënoi 13 gola për Liverpoolin që kryeson Premierligën.

Marrëveshja e tij aktuale me Reds është e paraparë të skadojë në qershor 2015, por Rodgers është optimist se 33-vjeçari mund të kontribuojë në skuadër edhe pas përfundimit të këtij sezoni.

“Steven do të ketë një kontratë të re në verë”, deklaroi Rodgers për Liverpool Echo.

“Me një vit të mbetur, është një çështje me të cilën duhet të merremi. Besoj se Steven mund të luajë përtej vitit 2015. Ai është futbollist i cili ka treguar kualitetet e tij këtë sezon. Në verë, ai do të jetë ende vetëm 34-vjeç. Me një shikim drejt së ardhmes, mendoj se ai do të jetë ende element i rëndësishëm në ekipin tonë”, përfundoi Rodgers.