Kontrata për autostradën Prishtinë-Shkup, çështje ditësh

Nënshkrimi i kontratës për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Hani i Elezit do të ndodhë shumë shpejt, ka thënë për lajmi.net Lah Nitaj, këshilltari politik i ministrit të Infrastrukturës.

Lajme

17/06/2014 20:43

Ngërçi polikë që është shfaqur pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit nuk do të ndikojë aspak në realizmin e projekteve të mëdha, siç është ndërtimi i Rrugës 6 – Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit

Këshilltari i ministrit Fehmi Mujota, ka thënë se tashmë të gjitha proceduarat e parapara janë përfunduar nga Komisioni Ndërministror dhe shumë shpejt do të bëhet edhe zyrtarizmi i kontratës.

Ai ka thënë se ky proces ka filluar prej dy vjetësh dhe nuk ka kurrfarë ndërlidhje me zhvillimet aktuale politike.

“Planin dinamik e përcaktojnë menaxherët dhe stafi profesional, por vlerësoj se është çështje ditësh kur do të ndodhë zyrtarizimi i kontratës. Pastaj i takon kompanisë ta bëjë planin që të fillojë  punimet konkrete”, ka thënë Nitaj për lajmi.net.

“Nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade nuk lidhet me situatën politike, janë procese të ndara, aq më tepër që procesi për ndërtimin e kësaj autostrade ka nisur tash e dy vjet më parë”.

Komisioni Ndërministror ka vendosur që fitues për ndërtimin e Rrugës 6, Prishtinë – Hani i Elezit është kompania që ka bërë ndërtimin e autostradës Morinë-Prishtinë, pra kompania amerikano-turke, Bechtel Enka.

Nitaj po ashtu ka mohuar se kjo kompani ka kërcënuar me padi Ministrinë e Infrastrukturës në qoftë se nuk bëhet nënshkrimi i kontratës. Ai ka thënë se Ministria e Infrastrukturës ka bashkëpunim të mirë me këtë kompani.

Finalizimin e punëve për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Rrugës 6 – Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, Komisionit Ndërministror e kishte paraqitur para Qeverisë së Kosovës më 6 qershor të këtij viti.

“Komisioni Ndërministror ka arritur që ato çështje që janë sqaruar brenda këtij afati kohor t’i aprovojë të tërat, dhe të autorizoj autoritetin kontraktues, në këtë rast Ministrinë e Infrastrukturës, për përfshirjen në kontratën përfundimtare dhe për nënshkrimin e kontratës”.

“Mund të informoj kabinetin, i nderuari kryeministër, se Komisioni Ndërministror ka përfunduar punën e vet, ka përmbyllur procesin dhe kontrata tashmë është e gatshme për nënshkrim”, kishte thënë ministri Mujota në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Disa parti politike gjatë fushatës kishin kërkuar nga qeveria në largim që të mos e nënshkruajë kontratën për ndërtimin e kësaj autostrade, pasi, sipas tyre, Kosova ka prioritete të tjera, por kryeministri Hashim Thaçi u ishte përgjigjur indirekt, duke thënë se puna në këtë rrugë do të nisë shumë shpejt.