Kontrata për autostradën në ‘dorë’ të Bechtel&Enka’s

Nënshkrimi i kontratës ndërmjet Qeverisë dhe konsorciumit “Bechtel&Enka” që do t’i hapte rrugë fillimit të punimeve në autostradë, ka mbetur në dorë të kompanisë ndërtuese. MInistria pret që shpejt nënshkrimi i kontratës të bëhet edhe nga kjo kompani.

Lajme

09/03/2014 08:48

Ekskavatorët e kompanisë amerikano-turke, “Bechtel & Enka” nuk pritet të ndezën për një kohë të shpejtë për të gërmuar në hapjen e trasesë nga Prishtina në drejtim të Shkupit.

Nënshkrimi i kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit “Bechtel&Enka” që do t’i hapte rrugë fillimit të punimeve në autostradë, ka mbetur në dorë të kompanisë ndërtuese.

Kontrata për ndërtimin e kësaj autostrade ligjërisht ka mund të nënshkruhet që nga mesi i muajit shkurt. Në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) kanë mohuar të ketë ndonjë neglizhencë rreth procedimit të kësaj kontrate duke konfirmuar se kjo kontratë është në procedim nga kompania fituese.

“Lidhur me pyetjet tuaja për kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Hani i Elezit, ju informojmë se kontrata është draftuar nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe është në procedim në kompaninë fituese”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të MI-së, dërguar gazetës Tribuna.

MI pret që brenda pak ditësh konsorciumi “Bechtel&Enka” të reflektojë për të ardhur deri te nënshkrimi zyrtar i kontratës.