Kontraktorët e Komunës lënë pa ujë Bregun e Diellit

Kompania e Ujësjellësit Rrajonal “Prishtina”-SH.A. njofton konsumatorët se sot në orët e pasdites, përgjatë punimeve në rrugën “Enver Maloku” në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, është dëmtuar gypi kryesor i ujësjellësit, fi=600 mm nga kontraktorët e Komunës së Prishtinës që janë të angazhuar në ato punime.

Lajme

13/12/2014 18:09

Sipas njoftimit të KUR “Prishtinës”, pa ujë kanë mbetur: QKUK, Bregu i Diellit-zona jug, lindje dhe perëndim si dhe Aktashi 3, por çrregullime do ketë edhe në pjese tjera të qytetit të Prishtinës, ata të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Badocit, pasi që nga ky dëmtim kanë filluar të bien menjëherë edhe nivelet e rezervarëve në lagjen Bregu i Diellit-Velani. 

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujit të KUR “Prishtina”-SH.A., janë në terren, ku me këtë rast do punohet tërë natën që t’ua kthejnë qytetarëve furnizimin me ujë të pijshëm, pasi që sanimi i këtij dëmtimi të rëndë mund të marr kohë të gjatë”, njofton KUR “Prishtina”. 

Kjo kompani kërkon mirëkuptim nga qytetarët e Prishtinës, dhe njëherësh bëjnë apel te kontraktorët e Komunës së Prishtinës që të jenë shumë më të kujdesshëm gjatë punimeve, sepse “nga pakujdesia e tyre qytetarët janë pa ujë të pijshëm”.