Kontestohet borxhi prej 57 milionë eurove për prodhuesit e ujit që u fal nga kryeministri

Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me Odën Ekonomike të Kosovës sot vizitoi  fabrikën e ujit Bonita në Lipjan për të parë nga afër dhe për të diskutuar për gjendjen e sektorit të ujit. Pas vizitës u mbajt një konferencë për media lidhur me gjendjen në sektorin e ujit si dhe mbi vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Vendimi 13/06) për faljen e borxheve për këtë sektor.

Lajme

03/02/2018 13:34

Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës përmes kësaj vizite shfrytëzuan rastin që edhe një herë të sqarojnë opinionin për keqinformimin se ambalazhuesve të ujit u janë falur mbi 57 milion euro. Sipas tyre, shuma në fjalë është nxjerrë nga një analizë e cila ka ofruar tre shuma të ndryshme hipotetike në bazë të ambalazhimit të ujit me kapacitet prodhues 24 orë, 12 orë dhe 8 orë për 300 ditë. Shuma e përmendur është përllogaritur nga hipoteza se kompanitë e ambalazhimit kanë punuar pa ndërprerë gjatë gjithë vitit, shtatë ditë në javë, 24 orë pandërprerë, me kapacitete të plota.

Astrit Panxha drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, bëri të qartë se asnjë kompani vendore e ambalazhimit nuk ka punuar dhe nuk punon me kapacitete të plota dhe pandërprerë, përkundrazi shumica e ambalazhuesve të ujit punojnë me kapacitete më të vogla dhe shpesh të përgjysmuara për periudha të caktuara të vitit.  Panxha, në emër të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, kërkoi që të ndërrohet qasja ndaj sektorit të prodhimit dhe ju bëri apel të gjitha partive politike dhe organizatave jo qeveritare që para se të dalin me akuza mbi të tilla për falje të borxhit në sektorin e prodhimit, paraprakisht le të bëjnë një analizë profesionale dhe të bazohen në të dhëna. Ai gjithashtu ju bëri thirrje të gjitha partive politike që të mos përdoret sektori i prodhimit për qëllime politike.”Prodhimi duhet të shikohet si një sektor që nuk ka ngjyrim politik dhe i cili kontribuon në mirëqenien dhe zhvillimin e vendit tonë” deklaroi Panxha.

Në këtë prononcim për media u shpjegua që shuma e përmendur e faljes së borxhit është e pasaktë edhe për faktin që tregu i ujit në Kosovë vlerësohet afër 11 milion euro. Ambalazhuesit vendor mbulojnë vetëm 30 %-40 % të këtij tregu, apo shprehur ndryshe kanë qarkullim vjetor prej 4 deri 5 milion Euro. Me shumën e supozuar të faljes së borxheve, ambalazhuesit e ujit do të duhej të kishin qarkullim vjetor afër 70-80 milion euro në vit.

Nga kjo rezulton që në mungesë të informacioneve të sakta, shuma e papaguar prej 57 milion Euro dhe rrjedhimisht inkasimi i saj i mundshëm nga institucionet përgjegjëse do të ishte kundërligjore, ngase e njëjta do të bazohej në parametra hipotetike dhe jo në gjendjen reale të ujit të shfrytëzuar. Në radhë të dytë, inkasimi i mundshëm do paraqiste falimentimin për gjithë sektorin, ngase gjithë sektori i prodhimit të ujit së bashku nuk kap vlerën e lartë cekur të borxhit të supozuar.

Po ashtu u përmend që tarifa prej 0.009 Euro për një litër ujë të shitur e udhëzimit administrativ 06/2006 Euro për ishte ndër tarifat më të larta në rajon. Ambalazhuesit e ujit me kohë patën reaguar për lartësinë e kësaj shume dhe efektet anësore që do t`i kishte. Përfundimisht kjo shumë është zbritur në 0.001 Euro për litër ujë, duke mundësuar edhe faljen e borxhit paraprak.

Ndërsa, Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës shprehu brengën që në Kosovë po krijohen perceptime të ndryshme sa i përket mbrojtjes së prodhimeve vendore. Ai sqaroi që ky borxh i falur nuk është borxh që ka të bëjë me tatim të vlerës së shtuar, por që në mënyrë të pabazë ka të bëjë me një pagesë të paqartë në formë të pagesës retroaktive. “Ardhmëria e Kosovës varet nga një sektor privat i fuqishëm dhe se me këto lloj akuzash nuk ju bëhet nderë aspak sektorit të prodhimit” theksoi z Gërxhaliu. /Lajmi.net/