Konsensusi për demarkacionin shenjë edhe për vendime tjera të mëdha

Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi nga ana e Kosovës nuk shihet vetëm si një kusht për liberalizimin e vizave, por si një veprim konsensusi që mund t'u hapë rrugë shumë proceseve të rëndësishme për Kosovën.

Lajme

22/03/2018 19:25

Bashkimi Evropian e ka përshëndetur ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi në kuvendin e Kosovës si një nga kushtet e fundit për liberalizimin e vizave edhe për Kosovën. Por, Kosova duhet ta përmbushë dhe një kusht e që është në  lufta në vazhdimësi kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në një deklaratë të përbashkët të zyrave të BE-së në Kosovë, thuhet se “miratimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës, paraqet një moment historik për Kosovën”.

“Ratifikimi është një shembull konkret i përkushtimit të Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ky ratifikim gjithashtu nënkupton se është plotësuar njëri nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Konsensusi që partitë politike arritën në kuvendin e Kosovës për ta ratifikuar një marrëveshje, debatet rreth së cilës zgjatën tre vjet, ku u rrëzua qeveria Mustafa dhe u shkaktua shumë dhunë nëpër rrugët e Prishtinës, për misionin e BE-së, është një hap përpara dhe një shenjë  e bashkëpunimit ndërpartiak.

“Ne shpresojmë dhe presim që ky bashkëpunim ndërpartiak me rastin e miratimit të marrëveshjes së Demarkacionit është një shenjë për gjërat e rëndësishme që pritet të vinë për Kosovën. Vëmendja duhet të përqendrohet tani në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne presim që të gjitha palët të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet për ta përmbushur kriterin e mbetur për liberalizimin e vizave dhe për ta përkrahur dhe avancuar perspektivën evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Ratifikimi garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, nuk po shihet vetëm si një kusht për liberalizimin e vizave. Presidenti Hashim Thaçi, thotë se ”ratifikimi i demarkacionit ishte një veprim që garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike, duke i hapur rrugë shumë proceseve të rëndësishme për shtetin e Kosovës”.

“Konsensusi i gjerë i arritur në Kuvendin e Kosovës duhet të shërbejë si platformë afatgjate e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike, sidomos kur në pyetje është interesi shtetëror. E pikërisht dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e tillë e interesit shtetëror, në të cilën ne duhet të jemi të bashkuar”, shprehet Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Sipas tij, tash Kosova me hapa të përshpejtuar, duke zbatuar pakon e reformave, duhet krijuar një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO.

Kriteret e BE-së

Në vitin 2012 Kosova pati marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave me një sërë kriteresh që duhen përmbushur për t’iu bashkuar vendeve të rajonit në mënyrë që qytetarët e saj të mund të udhëtojnë pa viza në zonën shengen. Për tri vjet deri në vitin 2015 Kosova arriti të përmbushë shumicën e kritereve, por, mbetën edhe dy prej tyre. Rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe shënjimin e vijës kufitare me shtetin fqinjë Malin e Zi. Tri vjet më parë qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi nënshkruan marrëveshje për shënjimin e kufirit dhe fillimisht kjo u cilësua vetëm si një  çështje shumë teknike që do të kalojë lehtë. Mirëpo, gjërat ndryshuan kur partitë politike opozitare në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), thanë se me marrëveshjen e vitit 2015 të demarkacionit me Malin e Zi, Kosova humbur territor.

Kundërshtimi i ratifikimit të kësaj marrëveshje në parlament eskaloi në dhunë me hedhjen e gazit lotsjellës dhe protestave nëpër rrugët e Prishtinës. Disa herë ju vu flaka institucioneve qeveritare dhe pati shumë të lënduar në radhët e policëve dhe protestuesve. Për të qetësuar situatën politike në Kosovë dhe agresivitetin e protestuesve të opozitës, u përfshinë  drejtpërdrejt edhe SHBA-së me vizitën në Kosovë të zëvendës-presidentit amerikan Joe Biden. Biden e përcolli porosinë te udhëheqësit politik  se “Kosova duhet të merr edhe vendime të vështira”.

“Dëshiroj të nënshkruani një marrëveshje me Mali e Zi. Është një marrëveshje e drejtë dhe kjo do të ketë ndikim pozitiv në rajon. Gjithashtu edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet bërë. Është dashur t’i shtyni përpara disa reforma, por vendimet e vështira sjellin fryte. Dhimbjet e luftës janë ende të freskëta. Të gjitha këto vragë janë të freskëta, por Kosova duhet të ecë përpara me një të ardhme të përbashkët, ku të drejtat e qytetarëve janë të barabarta”, pati deklaruar Joe  Biden.

Detyrime dhe përkrahje ndërkombëtare

Analistët politikë porositë e zëvendëspresidentit amerikan i patën interpretuar si mesazhe që Kosova duhet t’i kryej obligimet ndërkombëtare, i pëlqen apo jo. “Demarkacioni me Malin e Zi duhet të zbatohet sipas obligimeve të marra Kosovë-Mal i Zi, e nënshkruar në Vjenë në vitin 2015. Ratifikimi i kësaj marrëveshje duhet të bëhet përmes arritjes së një konsensusi, por edhe me një vetëdijesim të theksuar nga opozita dhe pozita për të tejkaluar problemet dhe zënkat politike dhe interesave të ngushta të tyre. Demarkacioni është kusht ndërkombëtar i vendosur për Kosovën. I pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt,  ky demarkim tash ka fituar përkrahje ndërkombëtare”, pati thënë për DW, analisti Blerim Burjani.

Të gjitha këto zhvillime dhe mesazhe nuk e binden opozitën  që të heqë dorë nga kundërshtimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe e detyruan qeverinë e Kosovës e udhëhequr nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa, që të hyjë në  mocion besimi në parlament. Me shumicë votash qeveria Mustafa humbi besimin dhe Kosova shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme në qershor të vitit 2017. Pas zgjedhjeve asnjë parti politike nuk e mori shumicën e nevojshme për ta bërë vet qeverinë, mirëpo, pas bashkimit në një koalicion të Ramush Haradinajt me partinë e tij, (AAK), Kadri Veselit më partinë e tij  (PDK), dhe listës Srpska që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtarë, Ramush Haradinaj, zgjidhet kryeministër i Kosovës.

Vetë Haradinaj ishte kundërshtuesi më i madh e demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje kjo e nënshkruar nga qeveria e Isa Mustafës. Mirëpo, vetëm pas gjasht muaj qeverisje, vet Haradinaj e ktheu marrëveshjen e demarkacionit të qeverisë së kaluar në parlament, i cili e ratifikoi me shumicë votash. Asaj marrëveshje ju shtua vetëm një aneks-marrëveshje ndërmjet Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi Filip Vujanoviq, ku thuhet se “pas ratifikimit të demarkacionit edhe në kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur gabime’. Ratifikimin e demarkacionit, Vetëvendosja e Albin Kurtit po e quan “tradhti kombëtare”, sepse, sipas tyre “Kosova po fal territor për liberalizim vizash”.

Pritshmëritë nga BE-ja

Sidoqoftë, me ratifikimin e demarkacionit me dy të tretat e votave të deputetëve në parlamentin e Kosovës, iu dha fund debateve rreth kësaj çështje. Tash, autoritetet e Prishtinës presin që Komisioni Evropian brenda këtij viti do të marr vendim që edhe qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen. Ndërsa se sa ishte e rëndësishme ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, e thonë serish SHBA-së nëpërmjet ambasadës në Prishtinë.

“Çdo deputet i Kuvendit që votoi për të ratifikuar këtë marrëveshje, mund të jetë  krenar dhe ta di që ka bërë veprimin e duhur dhe të guximshëm për të mirën e shtetit të Kosovës. Tani Kuvendi dhe qeveria e Kosovës duhet të kthejnë vëmendjen e tyre te çështjet tjera nga agjenda e prioriteteve që do ta shtyjnë Kosovën përpara drejtë sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, dhe aspiratave të saja Euro-Atlantike. Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të përkrahë përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për arritjen e integrimit të plotë në familjen e kombeve evropiane”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Kosovë./DW