Konkursi diskriminues i KEK-ut për vendet e lira të punës – Lajmi.net
Konkursi diskriminues i KEK-ut për vendet e lira të punës
Autori: Lajmi.net EkonomiLajmeNacionale 23:08, 26 December 2017
Korporata Energjetike e Kosovës ka shpallur konkurs për 93 vende të lira të punës. Në konkurs, KEK-u e ka cekur se përparësi do të kenë banorët që jetojnë në zonën e interesit, e cila pritet të shpronësohet nga KEK-u me qëllim të zgjerimit të mihjes për sigurimin e qymyrit për termocentralet ekzistuese.

Diskriminimi i qytetarëve në konkurs në baza rajonale është në kundërshtim me Ligin e Punës, i cili garanton barazi për të gjithë qytetarët për konkurset që hapen. Mirëpo, Inspektorati i Punës dhe vendimi i qeverisë thonë se ky favorizim për banorët e Shipitullës edhe bërë bazuar në ligjet tjera, siç është ai kundër disktriminimit dhe ligji për Obiliqin.

Konkursit i ka paraprirë një vendim i Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Në vendimin i cili ishte marrë me 15 shtator të këtij viti thuhet që banorëve të fshatit Hade dhe Shipitullë iu lejohen përparësi në kushte të barabarta së paku 5 vjet në procedurat e punësimit për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

Dy ditë para këtij vendimi, kryeministri kishte mbajtur takim me banorët e Shipitullës dhe Hades ku edhe është arritur pajtueshmëria për zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve të Shipitullës dhe Hades, sipas modelit dhe praktikës së mëhershme të zbatuar në rastin e fshatit Hade.

“Njëkohësisht është arritur pajtueshmëri e plotë që konform legjislacionit në fuqi këta banorë të gëzojnë të drejtën e përparësisë në zgjidhjen e shqetësimeve të punësimit”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Konkursi është shpallur me 13 nëntor 2017 dhe është thirrur në vendimin e kryeministrit.

“Sipas nenit 8 të Ligjit të Punës, Seksionit V Pikën 3(c) të Rregullores të KEK Sh.a, kërkesës nr. 4523 të datës 10.11.2017 të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut për plotësimin e vendeve të lira të punës në Divizionet e KEK-ut, bazuar në vendimin e Kryeministrit të Kosovës nr. 04/02 të datës 15.09.2017, banorëve të fshatit Hade dhe Shipitullë u lejohen përparësi në  kushte të barabarta për ata që janë banorë të zonës me rëndësi të veçantë së paku 5 vjet. Në procedurat e punësimit për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës”, thuhet në shpallje të konkursit.

Skënder Bucolli, drejtor i Zyrës për Informim në KEK thotë se janë në proces të selektimit të kandidatëve.

“Konkursi ka qenë i hapur nga data 13.11.2017 dhe ashtu  siç parashihet me ligj është mbyllur me 27.11.2017 në orën 16.00. Aktualisht jemi në proces të selektimit të aplikantëve në harmoni me legjislacionin e fuqi dhe Vendimin e Qeverisë me  Nr:04/02 i datës 15.09.17”, tha Bucolli.

Ai ka thënë se konkursi është hapur bazuar në vendimin e aksionarit të KEK-ut, Qeverisë së Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka kontaktuar me kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, për të marrë përgjigje se a ka bazë ligjore në Ligjin e Punës ky konkurs i hapur bazuar në vendimin e kryeministrit dhe a është diskriminues për të interesuarit që konkurrojnë e që nuk janë banorë të fshatrave Hade dhe Shipitullë.

Ibrahimi ka thënë se Ligji i Punës nuk parasheh ndonjë rast kur mund t’i jepet përparësi një komuniteti.

“Inspektorati i Punës në kuadër të kompetencave të veta ka mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së Ligjit Nr. 03/L-212 i Punës i cili rregullon marrëdhënien e punës në sektorin publik dhe privat. IP inspektimet i realizon qoftë sipas detyrës zyrtare, apo edhe sipas parashtresave të palëve.  Ky ligj nuk parasheh ndonjë specifikë të tillë të dhënies së përparësisë, mirëpo në sistemin juridik të Republikës së Kosovës ka ligje të cilat japin përparësi në punësim, sikur vendimi i potencuar”, thuhet në përgjigje.

Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga  Qeveria e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Vendimi i kryeministrit, është bazuar në nenin 92, paragrafin 4 të Kushtetutës, ku thuhet se “Qeveria merr vendime në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligje, propozon projektligje dhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese, e akteve të tjera, si dhe mund të japë mendimin rreth projektligjeve të cilat nuk janë të propozuara nga ajo”.

Dhe në nenin 93, paragrafin 4 të Kushtetutës ku thuhet se që qeveria ka kompetenca të marrë vendime dhe të nxjerrë akte juridike ose rregullore të nevojshme për zbatimin e ligjeve.

Gjithashtu, për këtë vendim kryeministri është bazuar në Ligjin për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij- nenin 8 paragrafin 3.1.

Në këtë nen e paragraf thuhet se “Qeveria në bashkëpunim me operatorët siguron: trajtim me përparësi në kushte të barabarta, për ata që janë banorë te zonës së veçantë së paku pesë (5) vjet, në procedurat e punësimit për profesionet dhe vendet e punës që gjenerohen nga mihjet sipërfaqësore dhe prodhimi i energjisë elektrike, në përputhje me procedurat ligjore të Republikës së Kosovës”.

Gazeta ka gjetur se në komisionin vlerësues është edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.

KEK-u, u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave Shipitullë e Hade të nënshkruajnë marrëveshjet për zhvendosje.

Më 1 dhjetor qeveria mori vendim për shpronësimin e zonave kadastrale në këto fshatra.

Banorët e Shipitullës dhe Hades protestuan gjatë shtatorit, pasi ekskavatorët e KEK-ut u afruan pranë shtëpive të tyre.

Korporata Energjetike e Kosovës vazhdimisht ka pasur telashe me caqet e uljes së shpenzimeve operative të vendosura nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Faktori i efikasitetit i vendosur nga ZRRE-ja kërkon nga KEK-u që çdo vit të ulë nivelin e shpenzimeve për operim dhe mirëmbajtje dhe për personel. Kjo ulje nënkupton që ZRRE-ja ia ul buxhetin që shkon për operim, mirëmbajtje dhe personel KEK-ut. KEK-u vazhdimisht ka kërkuar nga ZRRE-ja që t’ia heq këtë faktor, pasi e ka të pamundur për të arritur. Madje në një nga shkresat e KEK-ut, thuhet se ZRRE-ja ende nuk ia njeh si shpenzim pagat për 120 punëtorët e punësuar në KEK bazuar në një memorandum të lidhur në mes të KEK-ut dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ky memorandum parashihte punësimin e 120 punëtorëve sezonalë, mirëpo atyre u është vazhduar kontrata.

“KEK në letrën e datës 19 shkurt 2016 drejtuar Bordit të ZRRE-së ka paraqitur kërkesën për të njohur koston e 120 punonjësve fizikë të cilët janë të përfshirë sipas memorandumit të mirëkuptimit në mes të KEK dhe Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Kjo kosto ende ka mbetur pa u përfshirë në koston e personelit të KEK”, thuhet në komentet që KEK-u i kishte bërë në ZRRE. Nëse ZRRE-ja ia njeh një shpenzim KEK-ut, kjo do të thotë se ia lejon KEK-u që ato mjete t’i fusë në çmimin e energjisë që në fund paguhet nga qytetari.

E Zyra e Rregullatorit i ishte përgjigjur KEK-ut duke i thënë se skemat sociale nuk mund të përfshihen në fatura.

“Faktorët e efikasitetit caktohen gjatë shqyrtimeve periodike për kohëzgjatjen e periudhës rregullative në mënyrë që të lejojë kompanitë e rregulluara, të bëjnë plane afatgjata dhe të identifikojnë fushat, ku përfitimet e efikasitetit mund të arrihen. Nuk mund të pritet që konsumatorët e energjisë elektrike të paguajnë çmimin e ndonjë skeme të punësimit social në sektor”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

Me legjislacionin e ri të energjisë, Zyra e Rregullatorit më nuk ia cakton të hyrat maksimale, por vetëm e monitoron.

 

Fjalët kyçe: KEK-u

Fotolajm

“Kulturë boksi” përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /FOTO
Foto, aparati për matjen e fuqisë së goditjes përpara Ministrisë së Kulturës në Prishtinë /lajmi.net ?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Berry Rush
  • Play Pro Kicker Frenzy
  • Play 8 Ball Pool
  • Play Stealth Sniper