Konkurrencë nga Franca për “Made in Germany”

Sipërmarrësit francezë shpresojnë për reforma nga presidenti Macron dhe duan të sfidojnë firmat gjermane.

Bota

13/09/2017 10:51

Gjermania është afër dhe tregu gjerman synimi i ardhshëm i firmës franceze Velum. Deri tani kjo firmë e vogël në Bischofsheim të Alzases tregtonte vetëm një pjesë të vogël të ndriçuesve që prodhohen për dyqane, restorante apo fabrika industriale në anën tjetër të Rinit. Tani shefja e firmës Anne Vetter do që t’i rrisë eksportet në Gjermani nga dy deri në katër milionë euro. Kjo kërkon një imazh të ri. Menaxheri i një kompanie gjermane më tha se nuk e dinte se në Francë prodhohen produkte të tilla të cilësisë së lartë. Kjo më goditi. Sepse është e padrejtë. Ne francezët duhet të dëshmojmë se produktet tona janë më të mira ose të paktën po aq të mira sa ato të prodhuara në Gjermani.” – thotë Anne Vetter.

Euromaxx Seifenblasen Lampen Sebastian Scherer (rbb)Llampa me porosi nga Franca

Ligjet franceze të punës pengesë

Anne Vetter është krenare për konceptin inovativ të kompanisë së saj. Konsumatori mund ta porosisë ndriçimin sipas formës dhe ngjyrës që i përputhet saktësisht me ambientin e tij. Inxhinierët pastaj llogarisin se cila duhet të jetë temperatura dhe fuqia më e mirë e dritës. Megjithë idetë e saj Vetter shpesh është në pozitë më të keqe se konkurrentët gjermanë, që përfitojnë prej vitesh nga kostot më të ulëta të pagave dhe më shumë fleksibilitet në tregun e punës. Sipas saj përgjegjëse për gjendjen është edhe qëndrimi bllokues i sindikatave franceze.

“Ligji i punës duhet të thjeshtësohet. Kemi kaq shumë ligje pa kuptim dhe ne e kalojmë një pjesë të mirë të kohës duke kontrolluar nëse i kemi respektuar apo jo të gjitha paragrafet në vend që të bëjmë diçka me kuptim. Unë do të investoja për shembull më tepër kohë në marketing ose në zhvillimin e produkteve të reja.” – thotë Anne Vetter.

Barrierat gjermane

Si dhe shumë sipërmarrës të tjerë francezë, ajo do që më në fund në dalë në krye. Por për këtë duhet që edhe Gjermania t’i japë fund ngritjes së barrierave, thotë Vincent Froehlich, drejtor i Agjencisë Ekonomike të Strasburgut. “Franca dhe mbi të gjitha sipërmarrësit e Alzasës e dinë se nuk duhet të jenë naivë ndaj gjermanëve. Gjermanët dinë ta mbrojnë industrinë e tyre të automobilëve dhe se si t’i zbatojnë standardet e veta. Po ashtu dhe tregjet publike nuk i hapin jo gjithmonë ashtu sikurse pretendojnë e kështu me radhë”, thotë Vincent Froehlich.

Frankreich Straßburg Fußgängerbrücke zwischen Deutschland und Frankreich (picture-alliance/dpa/F. Rumpenhorst)Ura që lidh Francën me Gjermaninë në Strasburg

Francezët shpesh janë shumë hezitues

Gjatë dhjetë viteve të fundit, diferenca midis Gjermanisë dhe Francës është rritur. Rënie me 10% e prodhimit industrial në Francë, rritje me 10% në Gjermani. Fakti që sipërmarrësit francezë duan tani të depërtojnë me forcë në tregun gjerman, nuk i shqetëson firmat gjermane në anën tjetër të Rinit. Përkundrazi, thotë Pascale Mollet. Ajo është franceze, dhe punon për Dhomën Gjermane të Tregtisë në Lahr. Francezët sipas saj shpesh janë shumë hezitues: “Francezi është i pasigurt dhe nuk di se cili është qëllimi i tij dhe se si mund ta arrijë qëllimin e tij. Dhe kjo e bën tërë biznesin më të vështirë. Pra, nëse francezët bëhen më të aftë për konkurrencë, kjo do të thotë për një kompani gjermane që të ketë një partner më të fortë.” Partnerë biznesi në vend të konkurrentëve, këtë do edhe shefja e kompanisë Anne Vetter. Por, në luftën për tregjet, miqësia franko-gjermane me shumë gjasa mund të tronditet./DW