Konjufca: Rama duhet të ketë ardhur për Specialen

Glauk Konjufca, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, i ftuar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se vizita e paparalajmëruar Edi Ramës në Kosovë kishte për qëllim bisedat për themelimin e Gjykatës Speciale.

Lajme

16/07/2015 19:19

“Edi Rama i ka takuar të gjitha subjektet politike në Kosovë, vetëm Lëvizjen Vetëvendosje jo. Nëse i takoi të gjitha partitë e jo Vetëvendosjen, ai erdhi për të folur për Gjykatën Speciale. Rama nuk është dashur ta anashkalojë takimin me ne. Duhet t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë”, ka konstatuar Konjufca.

Ai ka konsideruar se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, cenon sovranitetin e Kosovës.

“Në momentin që AKS i jepen kompetenca më shumë se të një komune dhe më pak se të një qeverie, është një mes i rrezikshëm. Kjo e dëmton Kosovën. Serbia do ta financojë asociacionin, dhe në këtë mënyrë do të ushtrojë edhe kontroll në Asociacionin e Komunave Serbe”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar i LVV-së.

Duke folur për qeverisjen aktuale të Isa Mustafës, Konjufca ka thënë se pozicioni i këtij ekzekutivi nuk dallon nga ai i kaluari.

“Nuk ka pasur ndryshim të qasjes nga Isa Mustafa rreth dialogut. Ai e ka vazhduar politikën e Hashim Thaçit”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, ka shtuar se themelimi i Gjykatës Speciale i bën dëm Kosovës dhe i shkon për shtati EULEX-it.

“Bashkimi Europian është “çuar peshë”. Kosova është parajsë e krimit të Organizuar dhe EULEX-it i intereson që të sjellë në skenë një temë më të madhe se sa korrupsioni brenda vetë kësaj strukture”.

“EULEX-i ka mjaftueshëm instrumente për t’i dënuar kryesit e veprave kriminale gjatë luftës por nuk po e bën”.

Konjufca e ka diskutuar edhe vizitën e Visar Ymerit në Amerikë dhe ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka raporte të mira me Amerikën dhe se problemi e ka burimin diku tjetër.

“Ne kemi raporte të mira me Departamentin e Shtetit Amerikan. Realisht relacionet të cilat nuk mund t’i quajmë fort të mira me Amerikën kanë të bëjnë me marrëdhëniet që Lëvizja Vetëvendosje ka me Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë”, ka konstatuar Konjufca.

Konjufca gjithashtu ka shtuar se ka parë ndryshime pozitive në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që sipas tij e ka kuptuar se proceset politike në Kosovë po shkonin keq. /Klan Kosova/