Konjufca propozon shkarkimin e Komisionit për tejkalim kompetencash

Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se Komisioni Shtetëror i Kosovës ka bërë gabime të mëdha  në këtë rast, duke i dhënë vetës edhe të drejtë të vendosë kufij të ri.

Lajme

03/08/2016 17:21

 

Konjufca tha se Komisioni i ka dhënë vetës mandat për të vendosur kufij të rinj edhe pse mandati i tij ishte vetëm shënjimi i atyre ekzistues.

Konjufca tha se edhe aspektin natyror edhe në atë politik e historik, ky Komision i ka dhunuar.

“Pikat kufitare nuk vendosën pahiri, por ajo e shënjon një territor”.

Konjufca tha se infrastruktura edhe rrugët janë një rast konkret që tregon se i kujt është një territor i caktuar, raporton lajmi.net.

Ai tha se Kosova i ka mirëmbajtur dhe shtruar rrugët deri në Cakorr, kurse tash ai territor nuk është i tij.

“Nga viti 1946 deri në Kullë e Çakorr, Kosova ka qenë përgjegjëse për këto rrugë”, tha Konjufca.

Ai tha se një argument tjetër që dëshmon se ajo pjesë është e Kosovës, është fakti se Kosova ka pyllëzuar atë pjesë.

“Ky demarkacion nuk ishte mbi fakte e mbrojtje të territorit, por në kurriz të Kosovës”.

Konjufca tha se profesor Murat Meha, tani kryetar i Komisionit Shtetëror tha se e ka hartuar hartën në vitet 90-ta e ku kufiri ishte deri në Çakorr kurse tash jep version tjetër.

Deputeti nga VV-ja tha se ata kanë të drejtë ta zhvlerësojnë punën e këtij Komisioni, pasi ata kanë tejkaluar mandatin nga ajo që kanë pasur detyrë e përgjegjësi.

Konjufca tha se konferenca e vërtetoi edhe argumentoi që Komisioni Shtetëror i Kosovës është mbështetur në kriter shumë të gabuar si kadastri.

“Ky është edhe problem i brendshëm sepse kjo tregon se si e konceptojnë Republikën. Pra copat e parcelave e përbëjnë republikën e andej ku nuk ka ngastra nuk është e jona”. /Lajmi.net/