Konjufca paralajmëron protesta masive

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar protesta masive.

Lajme

01/11/2018 23:43

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për dështimin e miratimit të një rezolute të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që do t’ia ndalonte presidentit të vendit, Hashim Thaçi, të fliste për kufijtë e vendit në dialogun me Serbinë.

Konjufca ka thënë në T7 se, nëse Hashim Thaçi nuk heq dorë nga ideja për shkëmbimin e territoreve, atëherë do të ketë protesta masive në vend.

“Duhet të ketë protesta masive në Kosovë. Kjo do të ndodh nëse Hashim Thaçi nuk ndalet dhe nuk heq dorë nga ideja e tij për shkëmbimi të territoreve. Nëse vetëm një draft apo diçka e tillë del se Thaçi dhe Vuçiqi janë marr vesh për ndonjë lëvizje të kufijve, atëherë do te protestohet. Këto protesta do të jenë masive”.

Ai ka thënë se do të përcjellën veprimet e Thaçit deri më 11 nëntor, dhe do të shihet se çfarë po ndodh deri atëherë.