Konjufca: Kuvendi të inicioj shkarkimin e Presidentit

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se arrestim i dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq me leje qëndrimi në Kosovë ka shpërfaqur defektet e pushtetit të Kosovës.

Lajme

04/04/2018 14:53

Ai tha se njëri nga tre udhëheqësit e Kosovës po gënjen.

“E para dikush u bë shkaktar në Kosovë që shteti ynë të renditet në mesin e atyre pak shteteve që shkelin traktatet për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe një shtet i tillë nuk i takon Evropës. Aspekti i dytë është ai i brendshëm kushtetues sepse u shkel Kushtetuta pasi që në aspektin e të drejtave të njeriut Kushtetuta jonë mbahet goxha e avancuar. Edhe kryeministri, edhe kryetari, edhe Presidenti të tre e dënuan aktin që ndodhi. Mendoj që prej këtyre treve njëri po gënjen dhe ai që nuk është duke e thënë të vërtetën është Presidenti Hashim Thaçi”, ka thënë ai, shkruan lajmi.net.

Sipas tij Presidenti Thaçi dhe Erdogani kanë ndërtuar raport joligjor që mbështetet mbi konceptin e kryerjes së favorit ndaj njëri tjetrit.

“Ju kujtohet se si Erdogani vinte në fushatën elektorale të Thaçit dhe ky ia shpërblente me privatizime si me Aeroportin, dhe me privatizimin e distribucionit të KED-sit. Pra përmes shfrytëzimit të fuqisë së tij jashtë ligjit, përmes këtij rrjeti që e ka krijuar deporton gjashtë persona që i konsideron terroristë dhe i kërkon t’i ndëshkoj. Kjo tregon që në Kosovë kemi udhëheqës të pajisur me kompetenca kushtetuese që po i përdorin këto gjëra për të kryer favore personale madje duke i shkelur edhe konventat ndërkombëtare dhe rendin e brendshëm kushtetues të vendit tonë”, theksoi ai.

Konjufca tha se Kosova me këtë veprim është bërë më autoritare sesa Turqia e Erdoganit.

“E lexova ligjin që e ka Turqia për deportim dhe ekstradim, ku Erdogani nuk guxon ta shkel ligjin e tij e neve na ka kërkuar ta shkelim ligjin që e kemi në Kosovë dhe ia arriti këtë gjë. Kjo duhet të na shqetësoj pasi që atë që nuk guxoj ta bëjë në shtetin e tij e bëri në Kosovë duke gjetur njerëz që i arrijnë këto qëllime. Dhe si reaksion e pamë që kryeministri i shkarkoj dy persona, Ministrin Sefaj dhe drejtorin e Inteligjencës. Kjo vetëm sa hapi probleme të reja e jo që e zgjidhi këtë problem pasi që për t’u shkarkuar Flamur Sefaj u desh të mblidhej Këshilli i AKR-së. Cka kishte me ndodh nëse ky këshill nuk e kishte pranuar këtë vendim”, ka thënë ai duke shtuar se Kuvendi duhet të nis iniciativë për rrëzimin e Presidentit.

“Ku është kryeministri, Kushtetuta e ligjet. Kjo tregon që pushteti nuk është i brendashkruar me kushtetutë por është mozaik i pashallëqeve. Përveq këtyre dy shkarkimeve për t’u përmbyllur kjo, Kuvendi duhet të inicioj një shkarkim të Presidentit”, tha ai./Lajmi.net