Konjufca: Isa Mustafa po i han fjalët

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka thënë sot në një konferencë për media se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa po tregohet i papërgjegjshëm me vazhdimin e bisedimeve në Bruksel pasi sipas tij ai ka premtuar se nuk do të shkojë në dialog pa pas liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Lajme

26/01/2016 14:51

Konjufca kërkoi nga kryeministri Mustafa që të reflektojë duke mbajtur premtimet e dhëna qytetarëve.

Ai tha se premtimet e kryeministrit zgjasin vetëm një muaj duke shtuar se Mustafa është joserioz pasi që sipas tij dialogun e sheh si vizitë turistike për shëtitje në Evropë.

“Shkeli premtimin gjë që tregon sa të kota dhe boshe janë premtimet e tij. Kemi të bëjmë me një kryeministër joserioz i cili i han fjalët e tij shumë shpejt. Të tilla kanë qenë premtimet për punësimet. Për këto arsye Mustafa duhet ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ky zë do të dëgjohet meë17 shkurt , ku qytetarët masovikisht do ta shprehin pakënaqësinë e tyre”, tha Konjufca.

Konjufca gjithashtu ka bërë thirrje që Qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet, pasi sipas tij tërheqja do ta bënte opozitën që të ulet për dialog me Qeverinë.

“Tërheqja prej nënshkrimeve do ta sillte opozitë n në tavolinën e negociatave dhe do të krijonte mundësi për dialog të sinqertë që tregon se nuk është qëllimi jonë vetëm pushteti. Deri tash Qeveria nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga marrëveshja “, tha Konjufca.

Sipas tij nëse Qeveria nuk tërhiqet nga marrëveshjet atëherë mundësia e vetme për dialog me ta është vetëm caktimi i një date për zgjedhje të parakohshme.