Konfiskohet marihuanë në Gjakovë e Lipjan, të dyshuarit lihen të lirë

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se në Gjakovë e Lipjan tek disa të dyshuar kanë gjetur substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Lajme

12/07/2018 13:04

Në lokacionin Qafë Prush të Gjakovës, është arrestuar një i dyshuar pasi që gjatë kontrollimit të veturës së tij me tabela vendore, në një pako me cigare i është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, në peshë prej 0.64 gram.

Në raport të PK-së thuhet se, me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit lirohet, kurse rasti mbetet të hetohet.

Ndërkaq në rrugën “Ibrahim Rugova” në Lipjan, në një veturë të parkuar e tipit “Golf”, me tabela vendore në të cilën gjendeshin pesë persona, gjatë legjitimimit dhe kontrollimit tek të gjithë janë gjetur dhe janë konfiskuar sasi e vogël me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, pesha nuk dihet.

PK-ja njofton se pas intervistimit me vendimin e prokurorit pesë të dyshuarit lirohen, kurse rasti mbetet të hetohet.