Konfiskohet armatim e narkotikë në Pejë

Policia e Kosovës konfiskon një sasi të konsiderueshme armatimi dhe narkotikë në një lokal në Pejë. Ato ishin gjetur të hudhura nëpër vende të ndryshme të lokalit, gjatë bastisjes së mbrëmshme.

Lajme

06/01/2014 12:18

Gjatë një operacioni në qytetin e Pejës, Policia e Kosovës të dielën ka arritur të konfiskojë një sasi të konsiderueshme të armëve dhe narkotikëve.

Në një komunikatë të lëshuar për media, bëhet e ditur se gjatë gjatë në aksioni në lokalin “Toto Terazza” janë konfiskuar 3 pistoleta, fishekë të kalibirit të ndryshëm, thika, një boks i metalt dhe një substancë narkotike e llojit “Marihuanë”.

“Policia e Kosovës, Njësiti i Hetimeve Rajonale DRP Pejë, në përputhje me autorizimet policore, me datë 05.01.2014 rreth orës 21:45 ka ndërmarrë një operacion operativo – taktik, në qytetin Pejë, përkatësishtë në rrugën “Aleksandër Mojsiu” në lokalin “Toto Terazza”, në koordinim të plotë dhe më pëlqimin e Prokurorit të shtetit është bastisur i gjithë personeli i ketij lokali dhe mysafirët afro 800 persona.

“Veprimet e ndërmarruara nga hetuesit rajonal janë bërë duke u bazuar në informacionet operative që ka pranuar Policia e Kosovës, përkatësisht njësiti hetimor  rajonal në Pejë, se në ketë lokal mund të ketë armë dhe narkotikë”.

“Hetuesit policorë të Njësitit Hetimor Rajonal DRP Pejë,  kanë vepruar menjëherë në këtë rast, të asistuar ishin edhe nga Njësiti Special Operativ dhe njësitet patrulluese nga stacioni policor në Pejë, dhe bastisja e mysafirëve në këtë lokal ka filluar sipas planit, të gjithë  personat e bastisur janë nxjerrë nga lokali dhe pas zbrazjes së lokalit është bastisur edhe ky vend  me ç’rast janë gjetur  dhe konfiskuar një pistoletë “Gllok 9×19, një pistoletë “CZ 99”, një pistoletë “VZOR” cal. 7.65, 27 copë fishekë të pistoletës 9 mm, 2 copë fishekë të cal. 7.65 mm,  dy thika, një boks i metaltë, dhe substancë narkotike 1.2 gr. e llojit marihuanë.

“Të gjitha këto janë gjetur të hudhura nëpër vende të ndryshme brenda këtij lokali nga ana e mysafirëve”.

“Edhe në të ardhmen Policia e Kosovës do të ndërmerr masa të nevojshme ligjore sipas autorizimeve në të gjitha rastet e tilla të paraqitura në terren”, thuhet në komunikatën e Policisë.