Konfiskohen 27.5 tonë drogë, dy avionë të vegjël, shkatërrohen 50 laboratorë…

Mbi 27.5 tonë drogë të llojeve kokainë, heroinë dhe marihuanë janë konfiskuar në një aksion të Interpolit që u zhvillua dhe zgjati dy javë në Amerikën Qendrore dhe Karaibe.

Bota

16/12/2014 20:01

Vlera e kokainës së konfiskuar çmohet në 1.05 miliardë euro, thuhet në komunikatën e Interpolit, transmeton lajmi.net.

Në këtë operacion me përfshirje të gjerë, të quajtur Lionfish II, kanë qenë të inkuadruara gjithsej 39 shtete, kurse operacioni është zhvilluar nga 1 e deri më 12 dhjetor.

Gjatë këtij aksioni janë shkatërruar 50 laboratorë ilegalë dhe afro 20 pista aterrimi në xhungël për avionë që kontrabandonin drogë. Raportohet se janë konfiskuan edhe dy avionë të vegjël dhe janë arrestuar 442 persona.

Gjatë aksionit janë konfiskuar  2.2 milionë dollarë, 100 copë armë dhe 7.6 tonë përbërje kimike që shërbenin për përpunimin e drogës.