Konfiskimi i pasurisë sfidohet nga mungesa e guximit

Kosova ka dështuar në trajtimin e rasteve dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme të personave zyrtarë e politikë, thonë përfaqësues të shoqërisë civile në vend.

Lajme

25/07/2018 13:00

Në përpjekje të krijimit të një legjislacioni adekuat për konfiskim të pasurisë së paligjshme, ditë më parë Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë.

Megjithatë, sipas përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e gjykatave theksohet se në Kosovë ka pasur legjislacion për këtë çështje, por që nuk ka pasur guxim të konfiskimit të pasurisë të fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe ky ligj sikurse edhe ligjet tjera janë formale nëse nuk arrijnë të zbatohen në praktikë.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë komente në këtë projektligj dhe në këtë rast kemi një avancim në disa aspekte, por praktikisht asnjëherë nuk ka qenë problem për të konfiskuar pasuri të paligjshme baza ligjore. Problemi është tek zbatuesit e ligjit, që në këtë rast janë prokurorët dhe gjykatësit, që në asnjë rast nuk kanë guxim që të bëjnë kërkesa dhe të zbatojnë konfiskimin e pasurisë të fituar përmes aktiviteteve kriminale. Problemi në Kosovë nuk është tek ligjet, problemi është tek njerëzit me integritet të cilat mungojnë, për të zbatuar në përpikëri atë kornizë ligjore që e kemi”, thekson Musliu.

Në anën tjetër, Isuf Zejna nga organizata Demokraci Plus thotë se Kosovës i është dashur një bazë më e mirë ligjore për të arritur deri te konfiskimi i pasurisë së paligjshme të zyrtarëve të lartë qeveritarë.

“Ndryshimi i këtij ligji ka ardhur pasi institucionet siç është Prokuroria janë ankuar se me bazën aktuale ligjore në fuqi është e pamundur të vie deri të konfiskimi efikas i pasurisë, pasi që ligji është i pazbatueshëm. Prokuroria ka identifikuar se ligji aktual ka qenë konfuz dhe ka pasur dykuptimësi, diçka që nuk është lejuar në një nen është lejuar në nenin tjetër, në veçanti tek zyrtarët kur ka ardhur koha për të vendosur për konfiskim të pasurisë së paligjshme. Në parim, në projektligjin e ri shmangen një numër i madh i problemeve që i ka pasur ligji në fuqi”, thekson Zejna.

Miratimi në lexim të parë i projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskim të pasurisë ka nxitur reagime të deputetëve opozitarë.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, në rrjetin e saj social facebook ka theksuar se ky projektligj nuk ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ky projektligj ka për qëllim amnistimin e të korruptuarve sepse sërish sikurse edhe me rregullimin aktual, barra e të provuarit bie mbi organin e ndjekjes, pra Prokurorinë. Ky rregullim deri tani ka rezultuar i dështuar sepse për shkak të sistemit të kapur të drejtësisë dhe mungesës së profesionalizmit, prokurorët kanë dështuar në verifikim të pasurisë së paligjshme”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas të dhënave zyrtare të viti 2017, vlera e pasurisë dhe mallrave të sekuestruara dhe konfiskuara në Kosovë është mbi 16 milionë euro. Këto pasuri dhe mallra janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Vlera e pasurisë së konfiskuar, që në vit nuk arrin më shumë se 1 milion euro, sipas Zejna nga Demokraci Plus është e ulët në raport më vlerën e pasurisë së sekuestruar.

“Kosova ka dështuar në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, dhe kjo duke u bazuar në raportet e Prokurorisë ku në këto raporte shihet se konfiskimet janë qesharake dhe nuk kalojnë gjysmë milioni, 1 milion euro për vit, derisa ka konfiskim dhe sekuestrim të përkohshëm deri në 30 milionë euro për vit. Që do të thotë, në fazën e hetimeve ata sekuestrojnë pasuri, mirëpo pjesa më e madhe asaj pasurie iu kthehet personave të akuzuar. Pra, Prokuroria dështon që t’i bind gjykatat që një pasuri e tillë ka qenë e kundërligjshme”, thotë Zejna.

Përmes projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, zyrtarë qeveritarë kishin theksuar se po synohet konfiskimi i çfarëdo pasurie të fituar duke bërë vepra penale.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri ka theksuar se është e rëndësishme që të rritet efikasiteti në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Ai është zotuar se në dy vitet e ardhshme do të tregohet një efikasitet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.