Konfirmojnë progres të Kosovës drejt MSA-së

Enver Hoxhaj e Vlora Çitaku kanë takuar sot në Bruksel Komisionerin për Zgjerim, Shtefan Fyle. Në kuadër të konkretizimit dhe të agjendës Evropiane të Kosovës ata kanë diskutuar për përmbylljen e MSA-së e liberalizimin e vizave.

Lajme

01/04/2014 20:08

Ministri i Punëve të Jashtëme, Enver Hoxhaj, së bashku me ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, kanë konfirmuar progress të konsiderueshëm të Kosovës drejt përfundimit të negociimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Në një takim në Bruksel me Komisionerin për Zgjerim Stefan Fyle ata kanë diskutuar edhe për liberalizimin e vizave dhe prioritetet afatmesme të Studimit të Fizibilitetit.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Integrimeve Evropiane thuhet se gjatë takimit u konfirmua progresi i konsiderueshëm drejt përfundimit të negociimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimi dhe u dakorduan hapat e ardhshëm në drejtim të përmbylljes zyrtare të procesit negociator dhe inicializimit të marrëveshjes.

Në veçanti, u diskutuan përgatitjet për takimin e fundit të Kryenegociatorëve që njëherësh do të shënon përfundimin zyrtar të procesit negociator.

Komisioneri dhe Ministrat po ashtu diskutuan ecurinë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, me fokus të veçantë në rezultatet e misioneve vlerësuese, si dhe veprimet e institucioneve tona në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të fundit të dala nga misionet vlerësuese të Komisionit Evropian.

(Kosovapress)