Konfirmohen eshtrat e Isa Boletinit

Rezultojnë të vertetë eshtrat e heroit kombëtar Isa Boletini. Tashmë analizat gjenetike-molekulare në Strazburg e kanë dhënë përgjigjen se mes eshtrave të dërguara për analiza janë ato të heroit Isa Boletini dhe djalit të tij.

Lajme

26/02/2014 08:30

Drejtori i Insitutit, Arsim Gërxhaliu, thotë se për shkak të vjetërsisë së eshtrave do të duhen analiza të mëtejshme sepse deri tani nuk është arritur të nxirret profili gjenetik në mënyrë sa më të sigurtë: “Kemi pranuar pjesët kockore të cilat më herët janë dërguar në ekzaminim gjenetik.”

Analiza në Institut do të përcaktojnë dhe vërtetojnë detaje të tjera, si mosha dhe gjinia: “Sa i përket ekzaminimit antropologjik, nuk është kryer në atë kohë dhe tani do e bëjmë me ekspertët e EULEX’it për të përcaktuar moshën dhe gjininë.”

Ky lajm ka gëzuar tej mase pasardhësit e heroit Isa Boletini. Nëpërmjet një bisede telefonike, stërnipi Gazmend Boletini i tha Top Channel-it se tashmë kanë nisur përgatitjet për një varrim madhështor të eshtrave të Isa Boletinit. Sipas tij, rivarrimi do të bëhet më 30 qershor, datë kjo e shënuar, pasi për herë të parë në vitin 1912 Isa Boletini kishte ngritur flamurin në Veskovcë të Shalës së Bajgorës në veri të Mitrovicës, nga ku dhe heroi Isa Boletini kishte origjinën.

Isa Boletini u vra së bashku me tetë të tjerë më 1916 në Podgoricë derisa ishte i internuar në këtë shtet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Në atë kohë austro-hungarezët e varrosën në varrezat e myslimanëve dhe mbi varr i vendosën një gur me emrin Isa Boletinac. 98 vjet nga vrasja më në fund duket se eshtrat e heroit do të pushojnë në varrin e hapur në oborrin e kullës në Boletin të veriut të Mitrovicës.