Koncepti “Qytetet e Shëndetshme” tejet i nevojshëm për Kosovën

Qytetet e shëndetshme janë koncept që në këtë fazë i duhen më së shumti Kosovës dhe Qeveria e vendit e mbështet fuqishëm çdo nismë që përmirëson jetën e qytetarit.

Lajme

03/05/2018 14:01

Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi priti në takim delegacionin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Zyra Regjionale për Evropë, të kryesuar nga Monika Kosinska, profesor John Ashton dhe  Adam Tiliouine.

“Ndotja e ajrit që arriti kulmin në dimrin që lamë pas, ishte momenti alarmues për të cilin duhet menduar strategji afatgjate, por duke njohur fillimisht problemet me të cilat përballen qytetet e vendit. Ndihma e OBSH-së në këtë drejtim është e tejet e nevojshme dhe Qeveria mbështet konceptin e Qyteteve të Shëndetshme, me shpresë që shumë shpejt Prishtina dhe qytete të tjera t’i bashkohen kësaj nisme, që në botë ekziston prej dekadash”, tha Kryeministri Haradinaj.

Udhëheqësja e këtij misioni, Monika Kosinska, falënderoi Kryeministrin Haradinaj për pritje, duke shprehur përkushtimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në adresimin e çështjeve dhe përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, në bazë të nevojave dhe kërkesave që ka Kosova.

Pjesë e këtij takimi ishte ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ministria e të cilit është iniciues e kësaj nisme, për të cilën dha mbështetje edhe Kryeministri Haradinaj.