Komunave me serbë, 70 milionë euro nga BE

Komisioni Europian ka ndarë rreth 70 milionë euro fonde për zbatimin e projekteve në kuadër të “Marrëveshjes së parë të parimeve”. Kjo marrëveshje ka për qëllim normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

31/10/2013 13:45

Katër ditë para zgjedhjeve lokale, Brukseli ua bën më të shijshme daljen e serbëve të Kosovës në vendvotime duke i joshur ata me 70 milionë euro ndihmë për komunat ku ky komunitet përbën shumicën.

Komisioni Europian ka vendosur të alokojë fonde shtesë në kuadër të Instrumentit për Para-Anëtarësim (IPA) të BE’së për të mbështetur implementimin e “Marrëveshjes së parë të parimeve” që rregullon normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Programi special i IPA do të ndihmojë në adresimin e nevojave të komunave me shumicë serbe në tërë Kosovën, me theks të veçantë në komunat në veri.

Në një publikim të Zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë, thuhet se këto fonde do të fokusohen në financimin e projekteve të infrastrukturës komunale, administratën publike, zhvillimin rural dhe rajonal, punësim dhe mbrojtje të mjedisit.

“Ky vendim ka për qëllim alokimin e fillimisht 15 milion Eurove. Fonde të mundshme shtesë do të përcaktohen në bazë të vlerësimeve të vazhdueshme për nevoja. Këto para do të alokohen për Kosovën si shtesë e buxhetit të saj vjetor prej 65-70 milionë eurosh në kuadër të programit IPA për këtë vit të BE-së”.

Në këtë publikim citohet edhe deklarata e Komisionerit Europian për Zgjerim dhe Politika të Fqinjësisë, Stefan Fule ku thotë se marrëveshja e 19 prillit e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka nxitur BE’në që të aktivizojë mekanizmat e vetë për të mbështetur palët në integrim.

“Implementimi i Marrëveshjes së 19 prillit është qenësor për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi dhe për perspektivat evropiane të të dyja palëve. Kjo marrëveshje ka konfirmuar se Kosova dhe Serbia janë të zotuara për të avancuar në rrugët e tyre përkatëse drejt BE’së”.

“BE’ja duhet të tregojë se është serioze në mbështetjen e këtij procesi, në interes të paqes, stabilitetit dhe mirëqenies në rajon. Prandaj jam i lumtur që jemi në gjendje të sigurojmë fonde shtesë në mbështetje të Marrëveshjes së Prillit”.

Më 19 prill të këtij viti, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë mbi parimet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Kjo marrëveshje është arritur në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, dhe e cila marrëveshje është plotësuar në muajin maj me një plan implementimi gjithëpërfshirës. Marrëveshja siguron organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, më 3 nëntor, krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe integrimin progresiv të strukturave të drejtësisë dhe policisë në Kosovën Veriore në kornizën ligjore dhe administrative të Kosovës.