Komunat stërmbushen nga punëtorët me kontrata mbi vepër

Shpesh ka pasur akuza për  punësimin e militantëve nëpër komunat e ndryshme të Kosovës. E kjo duket se po bëhet sidomos me punësimet e personave me kontrata mbi vepër.

Lajme

27/05/2018 15:15

Numri i madh i të punësuarve me kontrata mbi vepër nëpër komunat e ndryshme të Kosovës, po vazhdon të mbetet problem.

Nga gjetjet e Auditorit për vitin që kemi lënë pas del se shumica e komunave kryesore të vendit, kanë të punësuar numër të madh të personave me kontrata që iu referohen si për shërbime të veçanta, shkruan lajmi.net.

Për punësimet me kontrata mbi vepër kryeson komuna e Istogut. Auditori ka gjetur se në këtë komunë kanë qenë të punësuar 49 persona. Madje në 29 raste kanë qenë punësime të jashtëligjshme.

“Në tri raste komuna nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të rekrutimit konform kërkesave ligjore, dhe pagesat mujore për këta zyrtarë, në asnjë rast nuk kanë të bashkangjitura dëshmi apo raport për të verifikuar se janë realizuar apo pranuar shërbimet konform kontratës”, thuhet në raport.

Në komunën që e udhëheq Agim Bahtiri auditori ka gjetur se 32 punëtorë janë me kontratë mbi vepër. Madje për punësimin e tyre nuk ishin zbatuar as procedurat ligjore.

Në tri raste në Mitrovicë tutje është gjetur se pozitat ku ishin punësuar këta persona, ishin pozita të rregullta.

“Komuna, kishte angazhuar 32 punëtorë me marrëveshje për shërbime të veçanta. Komuna për këta të punësuar nuk kishte aplikuar procedurë të thjeshtësuar të rekrutimit ashtu siç parashihet me aktet e përcaktuara ligjore. Për me tepër në tre raste të angazhuarit me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin për pozita të rregullta dhe nuk kishin të bënin me punë specifike”, ka gjetur Auditori në raportin për vitin 2017.

Situatë e njëjtë është paraqitur edhe në komunën e Podujevës.

Mbi 23 persona në qytetin që e udhëheq Agim Veliu janë punësuar me kontratë mbi vepër.

“Komuna për realizimin e shërbimeve të domosdoshme, kishte angazhuar 23 persona përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MShV). Në 10 rastet e rishikuara kemi vërejtur se zyrtarët ishin angazhuar në kryerjen e punëve për periudhën më të gjatë se gjashtë muaj”, thuhet në raportin e Auditorit.

Madje dy prej tyre ishin duke kryer aktivitetet me kontratë mbi vpër që nga viti 2010. Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme si konsulent, zyrtarë për bujqësi, përkthime, digjitalizim të rrugëve, roje, pastruese, etj.

Edhe pse Kamenica një komunë më e vogël, edhe aty ka numër të madh të personave që po mbajnë pozitat me kontrata mbi vepër.

Edhe komuna e Kaemnicës nuk ka zbatuar procedurat ligjore për këto punësime.

“Gjatë vitit 2017, në komunë ishin angazhuar gjithsej 22 punonjës përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Ndonëse sipas ligjit për shërbimin civil, neni 12, për emërime të tilla, zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit, komuna nuk kishte zbatuar procedura të tilla me rastin e përzgjedhjes së këtyre punonjësve. Gjithashtu, marrëveshjet për shërbime të veçanta kishin të bëjnë me pozita të rregullta dhe jo për punë me kërkesa specifike”, ka gjetur Auditori.

Punësimeve me kontrata për shërbime të veçanta nuk i ka shpëtuar as Vushtrria.

Në qytetin që vitin e kaluar e ka udhëhequr Bajram Mulaku, është gjetur se 18 punonjës janë vendosur në pozita të rregullta të punës.

“Komuna, gjatë vitit 2017 ka angazhuar 18 punonjës si staf me marrëveshje për shërbime të veçanta (MSHV). Angazhimi i tyre ishte bërë përmes procedurave të konkursit publik. Shumica e të punësuarave në këtë formë janë vendosur në pozita të rregullta të punës. Kjo ishte si pasojë e mungesës së pozitave të aprovuara në planifikimin e buxhetit”, thuhet në raportin për qytetin e Vushtrrisë.l

Në Gjakovë në shtatë raste, të punësuarit me kontrata mbi vepër kanë vazhduar aktivitetin e tyre përtej afatit ligjor.

Ky afat përfshinë një periudhë prej gjashtë muajve.

“Komuna kishte angazhuar punonjës me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta, dhe në shtatë raste kontratat e tyre kishin zgjatur përtej afatit ligjor prej gjashtë muajve”, thuhet në raportin e Auditorit.

Punësime me kontrata mbi vepër janë gjetur edhe në Graçanicë, Zubin Potok e komuna të tjera.

Kurse për qytetet e tjera më të mëdha si Prishtina apo Prizreni, ende nuk janë publikuar raportet e Auditorit. /Lajmi.net/