Komunat e Mitrovicës bisedojnë për ndarjen administrative

Kryetari Agim Bahtiri ka treguar se me zyrtarët e Komunës së Mitrovicës Veriore janë duke u zhvilluar takime për heqjen e barrikadës mbi urë dhe për një marrëveshje në lidhje më kufijtë administrativë të dy komunave.

Lajme

15/06/2016 18:54

Kanë filluar takimet ndërmjet zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut në lidhje me heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër.

Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri. “Këto ditë jemi duke diskutuar në lidhje me barrikadën, andaj nuk po preferoj të flas më shumë rreth kësaj”, deklaroi Bahtiri.

Kur është biseduar herën e kaluar për heqjen e barrikadës mbi Ibër temë diskutimi dhe mospajtimi ka qenë edhe çështja e ndarjes administrative e këtyre komunave.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq në tetor të vitit të kaluar kishte thënë për Kallxo.com se para se të fillojnë punimet në urën e Ibrit duhet të nënshkruhet memorandumi i demarkacionit që ndan Mitrovicën në dy komuna.