Komuna për protestën: Nuk mund ta cënojmë interesin publik

Kompanitë private të autobusëve kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës kundër linjave të reja të autobusëve të “Trafikut Urban”, derisa thonë se duan trajtim të barabartë.

Lajme

08/10/2018 16:12

Ata po ashtu kanë thënë se kompanitë private nuk mund të operojnë, përderisa primare është interesi publik

Ata kanë kërkuar takim me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmetin, për të cilën kanë thënë se dhe nëse ndodh kjo ata besojnë që do të bien në ujdi,derisa thonë se nuk duan që të eskaloj situata, por ta rregullojnë këtë çështje.

E lidhur me këtë në një prononcim për lajmi.net Adonis Tahiri zëdhënës për media në Komunën e Prishtinës, ka thënë se të gjithë operatorët privat kanë qenë të njoftuar me reformën që po ndodh në transportin publik.

“Të gjithë operatorët privatë kanë qenë të njoftuar me reformën që po ndodh në transportin publik shumë kohë më parë. I kemi takuar dhe disa herë javën kaluar dhe ua kemi sqaruar situatën. Do t’i takojmë prapë nesër”, ka thënë Tahiri për lajmi.net.

Sipas tij autobusët e “Trafikut Urban” nuk kanë marrë asnjë linjë të tyre, por që po ndërhyjnë në disa zona të caktuara, për të cilat Tahiri thotë se janë kërkesa të qytetarëve të Prishtinës.

“Autobusët e “Trafikut Urban” nuk e marrin linjën e tyre, por ndërhyjnë në disa zona të caktuara, me kërkesë të drejtpërdrejtë nga qytetarët. Ne nuk mund ta cenojmë interesin publik, për interes privat të cilësdo kompani. Reformës së transportit publik në Prishtinë duhet t’i përshtaten operatorët privatë, e jo anasjelltas”, theksoi ndër të tjera ai.

Po ashtu Tahiri ka thënë se nga viti i ardhshëm, edhe operatorët private do të kenë kontrata afatgjate, dhe njësoj sikur autobusët e “Trafikut Urban”, siç thotë ai do të paguhen në bazë të kilometrave të kaluara. /Lajmi.net/