Komuna Ferizajt  pagoi 30 mijë euro jashtë llogarisë  kompanisë kontraktuese

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Ferizajt në një rast ka paguar 30 mijë euro jo në llogari të kompanisë me të cilin kishte kontratë për kryerje të punëve, por në llogari të një kompanie tjetër, me të cilën Komuna nuk kishte asnjë lloj marrëveshjeje.

Lajme

22/08/2017 09:07

Shkelje të shumta janë evidentuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Ferizajt për vitin që lamë pas.

Në një rast Auditori ka gjetur se fatura në shumën 30.000 euro nuk ishte paguar në llogari të operatorit ekonomik fitues, por në një llogari të një kompanie tjetër.

Sipas zyrtarit të prokurimit, kjo është bërë ngase operatori i njëjtë i ka dy kompani, shkruan tutje “Zëri”.

Por, sipas rregullave financiare, pagesa duhet të ekzekutohet në llogarinë e prezantuar nga kontraktuesi kur kontrata është nënshkruar, shkruan Zëri.

“Pagesat e tilla mund të rezultojnë me manipulim të mundshëm të parasë publike. Mungesa e kontrolleve ka pasur si rezultat mosekzekutimin e pagesës në llogarinë përkatëse të operatorit ekonomik. Kjo mënyrë e pagesës mund të ketë si rrezik potencial që të bëhen pagesa të dyfishta për të njëjtën punë. Kryetari duhet ta shqyrtojë pse pagesa e tillë ka ndodhur dhe të sigurojë se zyrtari certifikues nuk certifikon asnjë pagesë në llogari jopërkatëse, apo që nuk është pjesë e kontratës dhe se raste të tilla nuk përsëriten”, thuhet në Raportin e Auditorit.