Komuna e Prishtinës vazhdon traditën, s’feston pavarësinë

Por në fakt kjo nuk është hera e parë që komuna e Prishtinës nuk organizon asgjë për festën e pavarësisë. Kështu kishte vepruar edhe në vitin 2014 e 2015, duke dhënë arsyetime të ndryshme.

Lajme

13/02/2016 13:38

Prishtina duket shumë zakonshëm dy ditë para festës së Pavarësisë. Në prag të 8 vjetorit të shtetësisë, kryeqyteti nuk ka asgjë të veçantë për t’u ofruar  qytetarëve të vet për këtë festë të madhe.

Komuna e Prishtinës nuk e  ka ndërmend të organizojë diçka për 17 shkurtin.

Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, i tha televizionit publik se festimet për pavarësi i takojnë Qeverisë.

“Ne nuk po e bëjmë këtë sepse nuk po na kërkohet një gjë e tillë”, tha Sejdiu.

”Është festë shtetërore e republikës. Qeveria-republika, komuna-qeverisja komunale”.

Sipas Sejdiut, këto janë të ndara. “Nuk mundem unë ta kompensoj mosdijen e kryeministrit”.

Por këtë e mohon Faton Peci, anëtar i Këshillit Organizativ të qeverisë, për organizimin e festimeve për 17 shkurt.

“Ne i kemi dërguar shkresë zyrtare z. Sejdiu dhe në mënyrë specifike i kemi paraqitur kërkesat tona si Këshill Organizativ”.

Madje në takimin koordinues të këshillit, ai thotë se ishte prezentë dhe një e deleguar nga Komuna e Prishtinës,s ë cilës edhe verbalist i është sqaruar kërkesa.

“I kemi thënë se në rast se komuna e Prishtinës nuk do të organizojë asgjë, të na njoftojë sepse edhe barrën buxhetore e marrim përsipër ne”.

Në anën tjetër, INPO, organizata që monitoron punën e Komunës së Prishtinës është  shprehur se ky arsyetim nuk qëndron, raporton lajmi.net.

Kjo organizatë i rikujton se “edhe përkushtimi i Komunës së Prishtinës karshi protestave paqësore kundër marrëveshjeve për Asociacionin dhe demarkacionin, të paralajmëruara nga liderët e opozitës, është jashtë kompetencave dhe funksioneve parësore që bartë Komuna sipas rregullativës ligjore për vetëqeverisjen lokale”.

“Mbajtja e një proteste apo çfarëdolloj organizimi tjetër në kryeqytet, duhet të shihet si e ndarë nga organizimet festive që do të duhej të organizoheshin nga Komuna”, shkruan  në reagimin e INPO-s, raporton lajmi.net.

Por në fakt kjo nuk është hera e parë që komuna e Prishtinës nuk organizon asgjë për festën e  pavarësisë.

Por në vitin 2015, drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Saranda Bogujevci, pati thënë se nuk është ndarë buxheti definitiv për drejtorinë e saj, andaj nuk mund të organizonte asgjë.

Njëkohësisht, ajo , pati deklaruar se arsye tjetër për të mos festuar ishte edhe largimi i një numri të madh qytetarësh në mënyrë ilegale jashtë vendit.

“Duke parë klimën e fundit të zhgënjimit dhe ikjet masive të qytetarëve, nuk lë shumë hapësirë për festë”, pati thënë Bogujevci./lajmi.net