Komuna e Prishtinës rrënon tarracat e disa lokaleve

Inspektorati i Prishtinës ka larguar disa tarraca të lokaleve në Ulpianë për ta shpenguar trotuarin dhe liruar hapësirat gjelbëruese.

Lajme

17/07/2018 13:09

I habitur, pronari i lokalit “Baristas”, Basri Hoti, tha se veprimi i komunës është selektiv dhe është i bazuar në vendimin  për lirimin e hapësirave, i cili  s’është në fuqi tash e 3 vjet, raporton Ekonomia Online.

“Neni në të cilin bazohet vendimi për heqjen e tarracës nuk është në fuqi që 3 vite, kjo na është bërë e ditur nga Ministria e Ambientit. Unë kam ardhur nga Austria dhe 13 vite punë atje i kam investuar në këtë lokal”.

“Kemi pasur leje për shfrytëzim të tarracës për 9 vite dhe është e palogjikshme të mos kemi tash. Kjo do të na dëmtojë biznesin shumë sepse mbajmë diku 20 punëtorë dhe tash duhet ta reduktojmë këtë numër”, tha ai.

Ndërkaq, Hysen Krasniqi, menaxher i lokalit “Baristas”, tha se vendimi i komunës së Prishtinës për heqjen e tarracës së lokalit do të ndikojë në humbjen e vendeve të punës për një pjesë të madhe të stafit.

“Vendimi është i pabazuar. Nuk na kanë lënë vend as për tu ankuar sepse neni me të cilin është thirrur ky vendim nuk ekziston më. Ky lokal ekziston që 10 vite dhe si i tillë nuk ka penguar as qetësinë e banorëve gjithashtu ju ka dhënë mundësi punësimi rreth 20 personave”, tha ai.

Në anën tjeter, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës Adonis Tahiri i ka thënë me telefon për  Ekonomia Online se ato terasa janë hequr për shkak se kanë dëmtuar gjelbërimin.

“Inspeksioni vepron në bazë të ligjeve në fuqi, dhe nëse një lokal e dëmton hapsiren publike apo gjelbërimin atij i hiqet leja. Inspeksioni ka vendosur që këto terasa të hiqen për shkak se dëmtojnë gjelbërimin e ambientit. Dy lokale të tjera kanë premtuar që do ta heqin terasën vetë në vikend, tha Tahiri.