Komuna e Prishtinës me kontrata të hapura

Komuna e Prishtinës ka prezantuar platformën e re digjitale “Kontratat e hapura”, në kuadër të transparencës komunale.

Lajme

15/08/2018 13:04

Kryetari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, tha se me këtë platformë do të mundësohet që të gjitha kontratat të shihen online nga qytetarët.

“Qëllimi jonë së pari ka qenë ta përmirësojmë menaxhimin e brendshëm dhe kontratave. Pra po flasim se në vit arrijmë shifrën gati 30 milionë euro në kontrata të ndryshme që na bën organizata buxhetore më të mëdha dhe qëllimi i dytë ka qenë ta bëjmë një shembull për Kosovën ta vendosim një standard të ri të transparencës. Të gjithë personat publikë e kanë për detyrë t’u tregojnë qytetarëve se ku shpenzohen paratë publike”.

“Një pjesë të këtij softueri e publikojmë tash për qytetarët dhe tash e kemi një softuer në të cilin secili qytetar mund të hyjë dhe ta shoh secilën kontratë. Kjo është e mirë edhe për gazetarët, të cilët tash mund të shohin online kontratat dhe të shohin sa zgjasin e kur përfundojnë”, tha Ahmeti.

James Mugaju, nga UNICEF Kosova, tha se kjo nismë e komunës së Prishtinës është hap i rëndësishëm për transparencën.

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se kryeqyteti do të jetë garues në gara ndërkombëtare me transparencë, raporton Ekonomia Online.

“Jemi duke e vendosur një standard të lartë për transparencë, para tri viteve startuam me Prishtinën dixhitale, ku kemi pasur mundësi m’i pa shpenzimet e të gjitha qeverive në kuadër të qeverive lokale e ngritën atë nivel të jepen data me platformë të jashtëzakonshme që është shërby në Open Data Words”.

“Kryeqyteti i Prishtinës do të jetë garues në gara ndërkombëtare nëpër kryeqytetin më transparent në gara gjatë muajit shtator do ta marrim vesh se a jemi transparent”.

Nënkryetari Nushi bëri të ditur se platforma i ka dy module.

“Platforma përmban dy module: moduli menaxher që përdoret nga ne që publiku nuk e sheh, ne diskutojmë dhe ndoshta edhe ndërpresim kontrata”.

“Dhe moduli tjetër për publikun nuk është prokurim, por është modul i kapshëm për qytetarë, vizualizimi i të dhënave, kyçje në kontrata, buxhetin e paraparë, pra është platformë integruese në vetvete”.

Blerta Thaçi, drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Open Data Kosovo” tha se ky projekt ka filluar nga prilli i këtij viti në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, një platformë që ka bazën e të dhënave të kontratave të hapura.