Komuna e Prishtinës e shpërblen me tender kompaninë që i ka të ndaluar tenderët për dhjetë vite

Komuna e Prishtinës e ka shpërblyer me tender një kompani që e ka të ndaluar pjesëmarrjen në prokurim publik për dhjetë vite.

Lajme

11/06/2018 18:40

Ligji i prokurimit Publik ka paraparë sanksione dhjetëvjeçare për kompanitë që dënohen për mashtrim.

Por kjo nuk e ka penguar Komunën e Prishtinës që të shpërblejë me tender kompaninë “Bushgegu”, për tenderin “Furnizimi me dru nëpër shkolla te Komunës se Prishtinës”, shkruan lajmi.net.

Gjykata Themelore në Gjakovë në korrik të vitit 2017 kishte dënuar me gjobë prej 300 eurosh, të akuzuarit Milaim Bejta, për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Një aktgjykim të tillë, gjyqtarja Iliriana Hoti, kishte shqiptuar pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari Bejta, të bërë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 10 korrik 2017.

Sipas prokurorisë, Milaim Bejta, akuzohej se në qershor 2012, në Gjakovë, me qëllim të shfrytëzimit si origjinal ndryshon dokumentin origjinal-vërtetimin e lëshuar nga Agjencia Pyjore e Kosovës në emër të ndërmarrjes N.T.P “Bushgegu”, me seli në Prishtinë.

Kjo me qëllim të konkurrimit në një tender për furnizimin me dru për nevoja të Komunës së Gjakovës, të cilin vërtetim e shfrytëzon si origjinal, duke lidhur kontratë me komunën e Gjakovës. Me çka ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”, nga neni 332 të Kodit të përkohshëm të Kosovës.

Me 4 qershor Zyra e Prokurimit e Komunës së Prishtinës  e shpalli fitues kompaninë  N.T.P. “Bushgegu” për të tenderin “Furnizimi me dru”. Në garë kanë qenë tri kompani dhe kjo kompani  ka dal fitues pasi ka apsur çmimin më të lirë se tjerat, ose fiks 52.800,00 euro. Nënshtrimi i kontratës në mes të kompanisë fitues dhe Komunës është paraparë të bëhet me datë 13 qershor 2018.

Ligji i Prokurimit Publik, konkretisht neni 61, tek Pranushmeria e kandidatëve ose tenderuesve, Kapitulli 5 -Kërkesat e Përshtatshmërisë, flet për ndalesat në pjesëmarrje të prokurimit.

“Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë punonjës, drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara; a. është dënuar nga një gjykatë kompetente për vepër penale duke përfshirë praktikimin e korrupcionit, larjen e parave, mitosjen, shantazh ose aktivitetet e përshkruara ose të ngjashme me ato të përshkruara në nenin 117.1 të këtij ligji, në ligjet dhe rregulloret në fuqi në Kosovë ose në cilindo vend, ose në çfarëdo marrëveshje ose konvente ndërkombëtare; b. është deklaruar i papërshtatshëm, për shkak të sjelljeve të përmendura më lart, nga çfarëdo banke, institucioni ose organizate e cila ofron fonde për zhvillim të përgjithshëm, investim publik ose rindërtim; c. është dënuar nga një gjykatë kompetente për veprën penale të pjesëmarrjes në një organizatë kriminale, që përkufizohet si asociacion i strukturuar dhe i krijuar gjatë një periudhe kohore dhe që vepron në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit financiar përmes veprimeve që konsiderohen si kriminale ose të kundërligjshme; ose d. është dënuar nga një gjykatë kompetente për vepër penale të mashtrimit ose të barabartë me mashtrimin, etj”, thuhet në nenin 61.1 të LPP-së.

Zyra për informim e Komunës së Prishtinës nuk ka dashur të përgjigjet lidhur më atë nëse Zyra e Prokurimit ka qenë në dijeni se kompania në fjalë është e dënuar nga Gjykata e Gjakovës për falsifikim të dokumenteve.

Kontakti me kompaninë ka qenë i pamundur. Kjo pasi, kompania ka vendosur një numër të telefonit inegzistent në “njoftimin për dhënie të kontratës”, dhe në ueb-faqen e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve. “Ky numër nuk ekziston”, tregon sinjali pas thirrjes në numrin që kompania e ka vendosur për kontakt.

Zyra e Prokurimit e Komunës së Prishtinës e ka cekur vetë nenin 61 të Ligjit të Prokurimit Publik për kufizimin e pjesëmarrjes në tender.

Në dosje të tenderit, ka qenë kërkesë që  “Operatori ekonomik duhet të jetë i licencuar nga Agjencia e Pylltarisë se Kosovës për prerje dhe transport te druve për kryerjen e punimeve ne pyje dhe toka pyjore”. Ndërkohë lajmi.net nuk ka marrë përgjigje nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës, lidhur me atë nëse ky operator është i pajisur me licencë.

Lajmi.net ka gjetur se një kontratë në vlerë prej 50 mijë eurove, për furnizim me dru, N.T.P. “BUSHGEGU ” e ka realizuar me Komunën e Prishtinës menjëherë pas  Aktgjykimit të Gjykatës, ose sakët kontrata ishte lidhur më 29 gusht 2017. Një ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit e kësaj kompania  ka bërë që të anulohet edhe një tender në Komunën e Podujevës në janar të këtij viti. /Lajmi.net/

2 3 4

2-ligji-i-prokurimit 3-ligji-i-prokurimit-publik