Komuna e Prishtinës blen flamur rreth 1000 euro dhe 12 metra të gjatë. Ku do të vendoset?

Komuna e Prishtinës nuk mori pjesë në stolisjen e kryeqytetit për festën e dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Por, ka vendosur që të blejë një flamur gjigant.

Lajme

14/02/2018 20:25

Nuk dihet se ku do të vendoset, dhe nëse është flamur i shtetit të Kosovës, apo kombëtarë. Por, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar fiks 972 euro për blerjen e një flamuri me dimensione 12 me 6 metra.

Këtë flamur e ka blerë nëpërmjet procedurave tenderuese dhe kontrata para dy ditësh është nënshkruar me NSH “Kastrioti” nga Ferizaj, shkruan lajmi.net.

Pronari i kompanisë “Kastrioti”, Besim Dinolli nuk ka dashur të tregojë nëse flamuri është kombëtarë apo shtetëror . “E keni në kontratë se çfarë flamuri është. Këto ditë kam shitur shumë flamuj, nuk po e di çfarë është”, tha ai për lajmi.net. Megjithatë në tender nuk specifikohet se çfarë flamuri është.

Inicimi i këtij aktiviteti të prokurimi ka qenë me datë 8 shkurt, ndërsa nënshkrimi i kontratës është bërë me datë 12, publikimi më 14 shkurt.

Megjithëkëtë, drejtori i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, Brahim Mehmetaj, i cili vjen nga radhët e AAK-së ka paralajmëruar se me datë 19 shkurt, flamuri kombëtarë do të rikthehet tek rrethi në hyrje të Prishtinës, i cili u zëvendësua me atë shtetëror mbrëmë me urdhër të kryeministrit Ramush Haradinaj, shefit partiak të Mehmetajt. /Lajmi.net/