Komuna e Podujevës kërkon shikim të kufijve me Serbinë

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës në mbledhjen e sotme ka analizuar situatën e sigurisë në komunë, veçmas pas incidentit të ndodhur në zonën kufitare me Serbinë.

Lajme

02/09/2014 18:21

Javën e kaluar në këtë zonë kufitare është të vrarë një qytetar i komunës së Podujevës dhe një tjetër është plagosur.

KKSB kërkon nga organet kompetente qendrore që të dalin me një informatë zyrtare dhe të sqarojnë të gjitha rrethanat lidhur me incidentin në zonën kufitare. Gjithashtu u kërkua që sa më parë të bëhet demarkacioni, përcaktimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftimin e kësaj komune, thuhet se në këtë mbledhje, është analizuar gjendja e sigurisë në komunë, si dhe është prezantuar një informatë nga Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit për intervenimet gjatë sezonit veror të këtij viti, e po ashtu është raportuar rreth fillimit të vitit shkollor 2014-2015.

Shefi i operativës në Stacionin e Policisë në Podujevë, togeri Fadil Surkishi, sipas njoftimit thuhet se gjendjen e përgjithshme në komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile, duke thënë se gjatë muajit gusht ka pasur rënie të veprave kriminale për 10 për qind, krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar. Por, ai tha se është shënuar rritje e veprave të rënda kriminale.

Edhe përfaqësuesit e KFOR-it e kanë vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë, pavarësisht incidentit të ndodhur në zonën kufitare ku javën që shkoi në një shkëmbim zjarri mes prerësve ilegalë të pyjeve dhe xhandarmerisë serbe, kanë humbur jetën dy persona dhe është plagosur një qytetar.

Lidhur me incidentin e ndodhur javën që shkoi në zonën kufitare, kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka shprehur keqardhje për humbjen e jetës së personave dhe plagosjen e një tjetri.

Kryetari Veliu tha se lidhur me incidentin në zonën kufitare kanë munguar informacionet zyrtare nga institucionet përgjegjëse për sigurinë, Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

“As mua, si kryetar i Komunës, por as KKSB-së, Policia e Kosovës dhe KFOR-i ende nuk na kanë dhënë një informatë zyrtare për incidentin e ndodhur në zonën kufitare”, tha kryetari Veliu.

Edhe shefi i operativës në Stacionin Policor të Podujevës, togeri Fadil Surkishi, tha se as ata nuk kanë një informatë zyrtare për incidentin në zonën kufitare. Ai bëri të ditur se tashmë sërish ka filluar patrullimi i përbashkët i Policisë Kufitare dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

Përfaqësuesi i KFOR-it, duke folur për incidentin, tha se vrasja e qytetarit ka ndodhur 1,5 deri në 2 km brenda territorit të Serbisë.

Ai gjithashtu tha se KFOR-i ka ngritur gatishmërinë dhe ka shtuar forcat përgjatë brezit kufitar.

Në takim u tha se si pasojë e mos definimit-demarkacionit të vijës kufitare me Serbinë, banorë të zonës kufitare pretendojnë se pronat e tyre kanë mbetur matanë vijës aktuale të kufirit.