Komuna e Hanit të Elezit dhe ‘Bechtel-Enka’ nuk merren vesh për punimet në autostradë

Kompania “Bechtel-Enka” e kontraktuar për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, po vazhdon punimet në autostradë, edhe pse një pjesë e punës i është ndaluar nga Komuna e Hanit të Elezit.

Lajme

18/10/2018 09:10

Kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma ka deklaruar për kallxo.com se kompanisë në fjalë, nuk ia kanë ndërprerë tërësisht punën.

“Në vendpunishtet e kompanisë ku punohej në orët e natës ia kemi ndërprerë punimet për shkak të zhurmës që bëhej, por nuk ia kemi ndërprerë të gjitha punimet të cilat nuk shkaktojnë zhurmë si dhe punimet që bëhen gjatë ditës”, tha kryetari Suma.

I pari i Komunës shtoi se e ka paralajmëruar kompaninë për zhbllokimin e rrugës së banorëve të fshatit Paldenicë.

“Ndërsa i kemi paralajmëruar se nëse nuk i bëhet zgjidhje banorëve të fshatit Paldenicë për rrugën e bllokuar atëherë, komuna jo vetëm që nuk do t’i përkrahë kërkesat e drejta të banorëve të fshatit, por do të jetë edhe bartëse e protestave për realizimin e të drejtave te tyre”, thuhet në përgjigjen e kryetarit.

Se punimet në autostradën Prishtinë-Shkup janë duke vazhduar, e ka konfirmuar për edhe zëdhënësja e “Bechtel-Enka”, Ela Ruci, e cila tha se punimet kanë nisur menjëherë të nesërmen, pas ndërhyrjes së komunës në ndërtim.

Ndërkaq, kryetari Rufki Suma, theksoi se ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje me zyrtarë të kompanisë për këtë çështje.

“Pas dërgimit të letrës kompanisë Bechtel Enka, menaxheri i saj, z. Riyad A, kërkoi nga unë takim për dt.11.10.2018 në ora 14:00, kërkesë të cilën unë e pranova, por edhe përkundër kërkesës së vet, ata nuk erdhën në takimin që vet e kishin kërkuar. Aktualisht nuk kemi asnjë marrëveshje”, tha Suma.

Komuna e Hanit të Elezit javën e kaluar mori vendim për ndërprerjen e bashkëpunimit me kompaninë “Bechtel-Enka”, e cila po ndërton autostradën Prishtinë-Shkup.

Por, sipas kryetarit Rufki Suma, gjatë punimeve të përditshme në autostradë janë shkaktuar shumë probleme qytetarëve si “pamundësia për t’u kyçur në pronat e tyre, dëmtime të shtëpive, ndotje dhe degradim i ambientit, zënie e shumë kanalizimeve atmosferike, pengimi në realizimin e projekteve komunale për shkak të punimeve te tyre, prishja e qetësisë publike nga zhurma, jo vetëm gjatë ditës, por edhe gjatë natës”.

Lidhur me ndërprerjen e punimeve në autostradë, kishte reaguar edhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

“Është për keqardhje kur dëgjon se një projekt gjigant infrastrukturor që është në fazën e finalizimit, po pengohet. Autostrada “Arbën Xhaferi” që përveç lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve, ka ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit, nuk guxon të përballet me të tilla ndalesa të organizuara për qëllime personale”, kishte shkruar ministri Lekaj në Facebook.