Komuna e Gjakovës pagoi 4 milionë euro borxhe të Pal Lekajt

Komuna e Gjakovës ka arritur të paguajë rreth 4 milionë euro borxhe, nga gjithsej 6 milione, sa ka trashëguar nga qeverisja e kaluar në krye me Pal Lekajn.

Lajme

23/12/2014 20:48

Ky lajm është dhënë të martën nga kryetarja e kësaj komune, Mimoza Kusari – Lila, e cila ka prezantuar raportin njëvjeçar të punës së saj.

Si transmeton KosovaPress, këtë raport ajo e ka prezantuar para shumë qytetarëve në pallatin e kulturës “Asim Vokshi”, ku ka prezantuar zhvillimet dhe të arriturat kryesore të qeverisjes komunale për periudhën janar- dhjetor këtij viti.

Megjithë sfidën tejet të rëndë financiare që ka trashëguar nga qeveria e shkuar, megjithatë Komuna ka arritur të vendosë themelet e një zhvillimi të përshpejtuar, që ka rezultuar gjatë tërë vitit e që sipas Kusari-Lilës, do të rezultojë edhe në muajt e parë të vitit 2015.

“Qeveria komunale ka trashëguar një borxh rreth 6 milionë euro, dhe ne me përkushtim dhe kursim të shkëlqyeshëm, deri në maksimum, kemi arritur që të paguajmë 4 milionë euro borxh të qeverisë së shkuar”, ka thënë Kusari-Lila.

Kryetarja e Gjakovës ka përmendur edhe shpenzimet për derivate të naftës, dreka e darka, që, sipas saj, janë ulur në minimum.

“Qeveria e shkuar, gjatë vitit 2013 ka shpenzuar karburante në vlerë prej 261 një mijë euro, ndërsa qeveria aktuale për vitin 2014 ka shpenzuar jo më shumë se 77 mijë euro, apo krahasuar me një vit më parë 183 mijë euro më pak. Po ashtu, më pak për 200 për qind ka shpenzuar edhe në dreka”, ka thënë Kusari – Lila.

Duke folur për të arriturat  e sivjetme, kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka përmendur projektet në të cilat kanë investuar Banka Gjermane, në shumë prej 1 milion euro, Këshilli i Evropës, po ashtu 1 milion euro, qeveria zvicerane, në shumë prej 1.3 milion euro, si dhe investime tjera që janë bërë nga Komuna në bujqësi, zhvillimin ekonomik, arsim, kulturë, mbrojtje e shpëtim, administratë komunale e dikastere tjera.