Komuna e Drenasit mohon se do ketë shujtë me hamburgerë për nxënësit

Komuna e Drenasit nuk ka kontraktuar asnjë kompani që të furnizojë me shujta ditore nxënësit e shkollave të kësaj komune.

Lajme

23/02/2016 16:22

Dje është raportuar në media se kjo komunë do të shpërndajë nga një shujtë, ku përshihet nga një hamburgerë dhe një pije, por në një komunikatë të Komunës së Drenasit, thuhet se kjo është e pavërtetë.

Sipas komunës, shujta do të ketë për nxënësit në organizime të ndryshme të cilat organizohen nga Drejtoria e Kulturës, e jo shujta të rregullta ditore, transmeton lajmi.net.

Ja reagimi i reagimi i plotë i Komunës së Drenasit:

Komuna e Drenasit, ndjen për obligim të sqaroj opinionin lidhur me shkrimin në disa portale ku thuhet se Drenasi furnizon nxënësit me hamburgerë, gjë e cila aspak nuk qëndron dhe për keqardhje janë bërë portalet kosovare të cilat e hutojnë edhe qytetarin dhe se nuk i kanë burimet e informatës. Komuna e Drenasit ka lidhur një kontratë kornizë për 24 muaj me një operator ekonomik, kontratë e cila ka të bëjë për aktivitetet jashtë procesit të rregullt mësimorë dhe është sipas nevojës.

Kjo kontratë është lidhur me operatorin ekonomik për krose pranverore dhe vjeshtore që organizohen në shkolla, përmes Drejtorisë së Kulturës, për garat e diturisë “Gjuhëtari i Ri”, “Matematicientët e rijn”, garat në futboll, në projektin “vështirësitë në shkrim dhe lexim tek nxënësit e arsimit fillor ” si dhe ushqim dhe pije freskuese për administruesit që e menaxhojnë testin e arritshmerisë për klasat  e nënta, nëse është ditë pushimi. Vlera e kontratës është rreth 5 mijë e 774 euro dhe nuk ka të bëjë me ushqim të rregullt për nxënës, vetëm kur janë të përcaktuara projektet.

Kjo kontratë shërben për furnizim me ushqim modest, një hamburger dhe një pije freskuese, sipas nevojës së projektit nëse ai realizohet, nëse nuk realizohet nuk ka shpenzim.

Komuna e Drenasit ka gjithsejtë 14 mijë e 324 nxënës, me këtë vlerë të kontratës, nuk do mund të blinte as nga një laps, e leje më të furnizonte gjithë këta nxënës me hamburgerë e pije freskuese për secilën ditë mësimi. Sa për informim, Komuna e Drenasit ka në implementim një projekt me IDAK-në, ku ka hapur 3 kuzhina në shkolla ( shkollën “Rasim Kiqina”, në “Halil Bajraktar” dhe “Arif Shala”), dhe janë punësuar 12 gra kryefamiljare dhe shumë shpejt pritet të hapet edhe kuzhina e katërt në shkollën “Xheladin Gashi-Plaku” në Komoran.