Komuna e Deçanit ndërton rrugën deri te uji mineral në zonën e Manastirit

Komuna e Deçanit do të ketë qasje për herë të parë pas luftës për të investuar brenda zonës së mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Lajme

01/10/2014 19:40

Për këtë të mërkurën kanë nënshkruar marrëveshjen kreu i Komunës, Rasim Selmanaj, komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Francesco Paolo Figliuolo, komandanti i MNBG-W, kolonel Angelo Minelli, si dhe kryemurgu i Manastirit, Ati Sava Janjiq, raporton KosovaPress.

Në bazë të kësaj marrëveshje do të bëhet fillimi i punimeve për renovimin e një rruge tashmë ekzistuese brenda Zonës së Mbrojtur, prapa Manastirit.

Nënshkrimi është bërë në kampin “Villaggio Italia”, selinë e Grupit Shumëkombësh Luftarak Perëndim (MNBG-W).

Pas Marrëveshjes, punët që do të kryhen nga Grupi i Përbashkët për Mbështetje Logjistike (njësiti shumëkombësh mbështetës i KFOR-it), në sajë të mjeteve nga një program italian, do të sanohet dhe aftësohet rruga.

Sipas një njoftimi të KFOR-it, ky projekt, i cili nuk ka ndonjë ndikim negativ në mënyrën e jetës së murgjve në Manastir ose në mjedis, do të ofrojë më shumë siguri për qytetarët të cilët shpesh vizitojnë aty pranë burimin e ujit mineral. që besohet të ketë cilësi shëruese.

Sipas këtij njoftimi, marrëveshja pasqyron rëndësinë simbolike të aktit mes dy homologëve – që përfaqësojnë komunitetin shqiptar dhe atë serb – që në pajtim me Ligjin e Kosovës për Zonat e Veçanta të Mbrojtura të datës 20 tetor 2008, kanë mirëpritur, për qytetarët e tyre propozimin e bërë nga MNBG-W, i udhëhequr nga regjimenti italian “Lancieri di Montebello”.