Komuna do të padis “Hib Petrolin”

Analizat e kampionëve të naftës nga rezervuarët e shkollave të Prishtinës, të dërguara në Itali kanë dalë se derivati i përdorur ishte vaj për djegie e jo naftë. Kryetari Shpend Ahmeti pritet t’i bëj publike këto rezultate të martën.

Lajme

18/03/2014 08:48

Komuna e Prishtinës ka dërguar kampionët e naftës në Itali për analiza , e cila përdorej për ngrohje nëpër shkolla, dhe është rikonfirmuar se ato përmbajnë sasi të mëdha të sulfurit.

Burimet e gazetës “Zëri”, thonë se këto analiza kanë vërtetuar se derivatet që përdoreshin për djegie nuk ishin fare naftë, por janë vaj për djegie i cili përmban 800 ppm sulfur, ndërkohë norma e lejuar është 10 ppm.

Sipas “Zërit”, të martën Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahemti do të bëj publike rezultatet së bashku me vendimin e tij për shkëputjen e kontratës me kompaninë “Hib Petrol”.

“Kryetari Shpend Ahmeti do të padisë kompaninë “Hib Petrol” për mashtrim ngase në kontratë kjo kompani detyrohej që të furnizonte shkollat me naftë Eurodisel 10 ppm, kurse në rezervuare është gjetur Gas Oil me 800 ppm”, ka thënë burimi i “Zërit”.

Po ashtu, ka dalur në pah edhe mashtrimi që kompani në fjalë i ka bërë Komunës së Prishtinës, duke faktuaruar naftë me çmimin prej 1.22 euro, derisa komunën e ka furnizuar me vaj për djegie, i cili në treg është me çmim prej 0.80 euro, raporton e përditshmja “Zëri”.