Komuna 3 ditë ultimatum Al-Petrol-it: Ose rrënoje ti objektin ose ne

Inspektorati i Komunës së Prishtinës i ka dhënë afat deri në 3 ditë pronarit  kompanisë së derivate “Al-Petrol”, për ta rrëzuar njërën prej pikave të saj cila gjendet në dalje të Prishtinës, në magjistralen për Mitrovicë.

Lajme

24/07/2014 13:43

Iniciativa e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, për ta bërë rrënimin e pikës së karburantit të kompanisë Al-Petrol, është ndërprerë nga përfaqësues të kësaj firme, të cilët premtuan se këtë do ta bëjnë vet, raporton KosovaPress.

Drejtori i Inspektoratit në Prishtinë, Xhelal Sfeqla, ka thënë se ky objekt pa leje tashmë është në rrënim, pasi vendimi për një gjë të tillë është i plotfuqishëm, por për shkak të specifikave të tij, pronarit i është dhënë 2-3 ditë afat, që të njëjtën ta bëjë vet.

“Ne do të pranojmë prej tyre një plan dinamik dhe pastaj e shohim a do ta miratojmë a jo për shkak të specifikave. Për shkak të specifikave të objektit meqenëse pronari ka kërkesën për ta larguar vet, atëherë ne ia mundësojmë këtë”.

“E kemi njoftuar para 2 ditëve, meqenëse atëherë edhe e kemi marrë pëlqimin prej ministrisë dhe ata tashmë janë të gatshëm për ta rrënuar. Normalisht, këtu do të jetë firma e rrënimit, këtu do të jetë inspektorati, për ta parë këtë dinamikë dhe në momentin që kjo nuk ndodh ne do ta rrënojmë”.

“Është objekt pa leje ndërtimi i ndërtuar pas datës 30 gusht, dhe sipas Ligjit për ndërtim, ky objekt nuk mund të futet në proces të legalizimit dhe rrjedhimisht është subjekt i rrënimit nga inspektoratet tona”, tha  Sfeqla.

Mirëpo, përfaqësuesi i “Al-Petrolit”, Lulzim Kryeziu, ka thënë se vendimi i Komunës është i ngutshëm dhe se objekti në fjalë ekziston që nga vitit 2002.

“Nuk e kuptoj këtë vendim kaq të ngutshëm. Objekti është veç në funksion, ka ekzistuar prej 2002-ës dhe vetëm i është ndërruar destinimi prej që ka qenë dyqan është shndërruar në pikë karburanti”.

“Edhe ne e kemi bërë një padi në gjykatë ku ekzekutivi faktikisht nuk ka të drejtë që ta bëjë rrënimin e një objekti i cili është duke funksion dhe është në pronë private, është duke e paguar tatimin në pronë e të gjitha”.

“Tash ti shohim vendimet tjera, është pak një vendim i ngutshëm prej Komunës prej inspektorit të Komunës. Ne do të veprojmë në bashkëpunim me Komunën natyrisht që nuk do t’i kundërshtojmë, ligjin do ta përkrahim, do të bashkëpunojmë në aspektin ligjit, në aspektin e asaj që kemi të drejtë”,tha Kryeziu. (KosovaPress)