Komplikohet zbatimi i marrëveshjes

Samuel Zbogar tha se KQZ e ka në dorë vendimin për rezultatet e votimit në komunat Veriore. Sipas tij, ajo që ngjau në Veri më 3 nëntor e bën më të komplikuar zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

Lajme

05/11/2013 16:41

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zbogar, zgjedhjet e së dielës i ka cilësuar si “një hap pozitiv të demokracisë në Kosovë”. Ai këto zgjedhje i cilësoi si të mira, dhe të përgatitura mirë.

“Unë konsideroj se zgjedhjet në Kosovë kanë qenë të suksesshme. Është përfunduar raundi i parë. Duke u bazuar në çfarë kemi parë deri tani, ato janë të suksesshme”.

“Me kënaqësi e kemi vërejtur se me përgatitje të mirë, vullnet politik dhe me vendosmëri, Kosova është në gjendje që të mbajë zgjedhje të lira dhe të drejta. Kjo dëshmon progresin që Kosova po e arrin në reformat e saj”.

Zbogar dënoi ashpër sulmet në qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut.

I pyetur se a duhet të anulohen rezultatet e zgjedhjeve në Komunat Veriore, Zbogar tha se këtë vendim e merr Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Më herët gjatë ditës qe raportuar se Zbogar preferon që në tri vendvotimet e sulmuara nga grupet ekstremiste, të ketë rivotim.

“Duhet të them se është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që duhet ta marrë këtë vendim”.

“Çfarë do të bëhet me ato rezultate, me ato qendra të votimit ku kanë ndodhur sulme, ne presim vendimin e KQZ’së”.

“Prej asaj se sa unë kam vëzhguar, me sa e kuptoj në 3 nga 4 komunat zgjedhjet janë realizuar në mënyrë të rregullt”.

Ndërkaq Samuel Zbogar tha se nuk ka dështuar marrëveshja e 19 prillit e nënshkruar në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por tha se në terren zbatimi i saj është më i ndërlikuar.

“E dimë se zbatimi i marrëveshjes do të jetë i ndërlikuar. Një numër i vogël i njerëzve kanë shumë për të humbur, prandaj edhe ne kemi parë një fushatë të fuqishme të bojkotimit të këtyre zgjedhjeve”, tha Samuel Zbogar.