Kompany nuk dorëzohet për titull

Vincent Kompany refuzon të thotë se lufta për titull në Premierligë ka marrë fund. Qendërmbrojtësi i Manchester Cityt kërkon fitore në katër ndeshjet e fundit, për të shpresuar më pas në mrekulli.

Sport

22/04/2014 11:52

Vincent Kompany thotë se titulli i fituar në momentet e fundit në vitin 2012, i ka dhënë shpresë Manchester Cityt që të luftojë pa u ndalur në katër xhirot e fundit të sezonit.

Të hënën mbrëma, Citizens e mposhtën West Bromwich Albionin me rezultat 3:1 dhe kjo bëri që City t’i afrohet liderit Liverpool në gjashtë pikë, por që ekipi i Manuel Pellegrinit e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Bëmë punë të mirë. Do të mundohemi të vazhdojmë kështu në katër ndeshjet e mbetura. Mund ta kujtojmë ende atë që ndodhi dy vjet më parë”, deklaroi fillimisht qendërmbrojtësi belg për Sky Sports.

“Më e rëndësishmja është se ne e kthyem formën që e kishim në fillim të sezonit. Shihej se ne ishim më të mirë se WBA dhe në katër ndeshjet e fundit mund të ndodh gjithçka”, përfundoi ai.