Kompany mirëpret Januzajn

Kapiteni i Belgjikës, Vincent Kompany ka thënë se mirëpret inkuadrimin e talentit kosovar, Adnan Januzaj, në ekip për Kampionatin botëror në Brazil.

Sport

14/05/2014 21:20

Kapiteni i Belgjikës, Vincent Kompany është i gatshëm të mirëpret talentin e Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, në skuadër, për Kampionatin botëror.

Januzaj, 19-vjeç, është inkuadruar drejt e në ekip nga selektori Marc Wilmots, për garën në Brazil, pasi vendosi të përfaqësojë Belgjikën.

Mesfushori Kevin Mirallas deklaroi së fundmi se ishte i lumtur që Januzaj zgjodhi Belgjikën por e konsideroi si të padrejtë përfshirjen e tij në skuadër për Kampionatin botëror për faktin se ai nuk luajti gjatë kualifikimeve.

Mirëpo, Kompany mendon ndryshe. I pyetur rreth çështjes gjatë një konference për shtyp në turneun e Manchester Cityt në Abu Dhabi, qendërmbrojtësi i Manchester Cityt tha: “Të gjithë, pikë së pari, janë të lumtur që janë ftuar. Pastaj, është detyrë e selektorit të merr vendime dhe mendoj se ne të gjithë jemi të lumtur që ta lejmë selektorin të kryejë punën e tij dhe i besojmë atij që vendimet që i merr”.

“Ne kemi futbollistë të mrekullueshëm në ekip andaj shpresojmë se do të paraqitemi me sukses në Kampionatin botëror. Jemi shumë të lumtur të mirëpresim anëtarët e rinj, gjithmonë”, u shpreh ai.