Kompania “Teleperformance” në Prishtinë, të lira 600 vende për punë

Nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu ka thënë se kompania më e madhe në botë për kujdesi ndaj klientëve, “Teleperformance” po zgjerohet në Prishtinë.

Lajme

23/03/2017 18:33

Sipas tij kjo do të mundësojë hapjen e qindra vendeve të reja të punës.

Ndërsa kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, tha se tash e një kohë kanë diskutuar me këtë kompani, në mënyrë që t’i bindim se Prishtina është vendi i duhur ku ata duhet të investojnë dhe të hapin vende të reja pune.

“Sivjet do të rekrutohen minimum 200 punëtorë, të cilët duhet të jenë të kualifikuar dhe ta dinë gjuhën gjermane. Kurse, vitin e ardhshëm, minimum edhe 400 punëtorë të tjerë”, tha ndër të tjera Ahmeti, duke theksuar se “Teleperformance” operon në 72 vende të botës dhe ne po bëhemi vendi i 73.

Tashmë, “Teleperformance” e ka kontraktuar klientin e parë që është “SKY Germany”, e cila njihet si kompania më e njohur në Gjermani për ofrimin e shërbimeve televizive.

Drejtori i operatives i kompanisë “Teleperformance Germany”, Michael Ridder, tha se përderisa kanë menduar zgjerimin jashtë tregut të Gjermanisë, kanë parë se Prishtina është vendi më i mirë për ata.

“Kemi marrë shumë përkrahje nga Komuna dhe jemi shumë të lumtur me përvojën fillestare që kemi pasur këtu”.

“Ne do të fillojmë me aktivitetin tonë ne fund të majit. Kemi filluar ta renovojmë ndërtesën ku do të vendosemi dhe kemi filluar rekrutimin”.

“Në qershor, pritet që të fillojë operimi i kësaj kompanie, dhe do të punojmë që të rritemi sa më shpejt që të mundemi në Prishtinë. Do të punësojmë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur për këtë lloj biznesi, i cili është biznes për kujdes ndaj konsumatorëve, e jo biznes për shitje”.