Kompania që mirëmban ndërtesën e Qeverisë dyshohet për shmangie të tatimit

Shtatë pagat e punëtorëve të kompanisë “Dolphin” që mirëmban ndërtesën e Qeverisë së Kosovës kanë mbetur peng i shkeljeve ligjore të kësaj kompanie.

Lajme

23/10/2014 08:55

Të gjitha mjetet që Ministria e Administratës Publike (MAP) ia derdh kësaj kompanie kontraktuese për shërbimet që realizon, shkojnë në konton e Administratës Tatimore (ATK), shkruan sot Koha Ditore..

Dyshohet se kjo kompani për disa vjet rresht u është shmangur obligimeve tatimore.

Punonjësit e kompanisë ka dy ditë që kanë bojkotuar punën duke mos e pastruar dhe mirëmbajtur ndërtesën e Qeverisë në sheshin “Skënderbeu”.

Emrie Gashi, njëra prej tetë punëtoreve që punojnë me orar të rregullt në kuadër të kësaj kompanie në objektin qeveritar, ka thënë se ajo së bashku me koleget e saja nuk do të punojnë më pa i marrë shtatë rrogat që u takojnë.

“Na është sos durimi. Qe shtatë muaj kemi pasur konsideratë për pronarin duke punuar pa asnjë cent, kurse ai para tri ditësh na tha se nuk do të na i jep asnjëherë pagat. Ne e mbajmë familjen me to… Mendohet se mbi 1.5 milionë euro i ka borxh shtetit për shkak të ikjes nga tatimi. Në emër të Trustit dhe tatimit në pagë që nga 2008-a çdo herë na i ka ndalur paratë, mirëpo asnjëherë nuk i ka paguar këto obligime”, ka thënë Gashi.

Për këtë gjendje, kjo punëtore tregon se janë të njoftuar nga sekretari i përgjithshëm i Qeverisë e po ashtu ehe nga përfaqësuesit e MAP-it. Gashi ka dyshime që pronari i kompanisë “Dolpin” ka ndërhyrë në dokumente, në mënyrë që para MAP-it të prezantojë të dhëna kinse janë paguar të gjitha rrogat e punëtorëve.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm  i Qeverisë, Fitim Krasniqi ka thënë se është i njoftuar me problemin e kësaj kompanie.

“Jam i njoftuar dhe e kam autorizuar administratën që të koordinojë punën me MAP-n si minisqtrui që nënshkruan kontrata dhe menaxhon me to, në mënyrë që të ndërmarrin masat e nevojshme. Për ne është  papranueshme qe të vonohen pagat për shtatë muaj. Megjithatë, është MAP-i përgjegjës për të dhënë sqarime lidhur me këtë, pasi ne nuk kemi qasje në kontratë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Fitim Sadiku, sekretar i MAP-it, ka thënë se kjo ministri i ka kryer të gjitha obligimet ndaj këtij kontraktuesi që bënë mirëmbajtjen higjienike dhe teknike të objektit të Qeverisë.

“Ne i paguajmë rreth 9 mijë euro në muaj për shërbimet  kësaj kompanie dhe të gjitha mjetet derdhen në xhirollogarinë e tyre, por ato mjete nuk mund t’i kalojnë kësaj kompanie, pasi që kanë probleme me ATK-në, ndaj së cilës kompania ka obligime”, ka thënë ai për Koha Ditore.